Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar pasi koncesioni i sterilizimit përfundoi në SPAK. Dje SPAK mori në pyetje mjekun Artan Koni si një nga 12 personat që duhet të flasin për padinë e depozituar nga Nisma Thurrje lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit.

Ndërsa sot Ogerta Manastirliu ka deklaruar se kontrata është amenduar, duke ulur kështu me 25% pagesat për qytetarët për 64 mijë ndërhyrje. Sipas saj, në fokus kryesor është siguria e qytetarëve.

“Kemi amenduar kontratën e sterilizimi, dua të bëj një parantezë këtu, nuk është vetëm një kontratë që ofron vetëm sterilizimin por pesë procese pune dhe të gjithë elementët që ofrojnë siguri maksimale për shëndetin e qytetarëve.

Një amendim i kësaj kontrate ka ndodhur në javën e dytë të këtij muaji, duke reduktuar pagesat mbi 64 mijë ndërhyrje për kompleksitetet. Ajo që kemi përfituar është siguria për qytetarët. Tani mbi 64 mijë ndërhyrje ka reduktim 25% të pagesave për kompleksitetet. Numri i ndërhyrjeve nuk shtohet se duam ne, por nga sëmundshmëria.

Ne duhet të synojmë shumë te cilësia, kjo do të thotë se nuk janë të rëndësishëm numrat, por cilësia. Numrat nuk kanë qenë problem. Nuk ka pasur reduktim, por racionalizim. Çdo institucion ka një buxhet, që është vjetor dhe harxhimet janë në bazë të asaj që ndodhet”, ka theksuar Ogerta Manastirliu.

Koncensioni për sterilizimin u nënshkrua nga Ministria e Shëndetësisë e përfaqësuar në atë kohë nga ish ministri Ilir Beqja dhe kompania kontraktuese “Sani Service”. Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, dhe i ka kushtuar buxhetit të shtetit 5 milionë euro më shumë sesa buxheti i parashikuar për të paguar këtë shërbim.

Sipas kontratës së nënshkruar, objekt i saj, është sterilizimi i seteve të mjeteve kirurgjikale dhe për 10 vite do ti kushtonte shtetit shqiptar afro 100 milione euro.

Më 23 dhjetor nisma “Thurje” depozitoi në SPAK kallëzimin e parë me anë të së cilit kërkoi hetimin e ish-zyrtarëve të lartë pasi sipas tyre padrejtësisht një shërbim publik me kosto të ulët i ishte kaluar një kompanie private duke harxhuar më shumë para nga buxheti i shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re