Ai ka një kosto minimale, prej vetëm 266 lekë. Ky set përmban një pincë anatomike dhe një pincë kirurgjikale, një klemë të drejtë dhe një të kthyer, një gërshërë dhe një kyreta.

TIRANË Dhjetëra pacientë në ditë i drejtohen Urgjencës qoftë edhe për një plagë të vogël. Për ta mjekuar këtë plagë, e cila konsiderohet një ndërhyrje mikro, mjekët duhet të përdorin setin e vogël një-përdorimësh të sterilizimit. Ai ka një kosto minimale, prej vetëm 266 lekë. Ky set përmban një pincë anatomike dhe një pincë kirurgjikale, një klemë të drejtë dhe një të kthyer, një gërshërë dhe një kyreta.

Në studimin e fizibiltetit për dhënien me koncension të shërbimit të sterilizimit ishin parashikuar që në QSUT të dërgoheshin 220 mijë sete të tilla, me një kosto totale sterilizimi prej 58 mln lekësh.

Por ky set është zhdukur krejtësisht nga koncensionari. Në mungesë të tij mjekët janë të detyruar të hapin setin që përdoret për ndërhyrje kirurgjikale me kompleksitet të ulët, por që ka një kosto sterilizimi prej 19 mijë lekë të reja.

Kjo ka bërë që kostoja e sterilizimit të rritet në mënyrë artificiale, pasi nëse hapet seti, qoftë për të marrë vetëm një instrument, atëherë konsiderohet i papërdorshëm.

Për të kuptuar se sa shumë kanë kapërcyer pagesat për këtë koncension, i referohemi bilancit financiar të dorëzuar nga “SaniServicë”. Sipas këtij bilanci, në vitin 2021, vetëm fondi i sigurimeve shëndetësore i Tiranës i ka paguar këtij koncensioni 922 mln lekë të reja ose 9 mln euro. Kjo kur shpenzimet e llogaritura për Tiranën në studimin e fizibilitetit nuk e kalonin 5 mln euro në vit. Në total në vitin 2021 koncensioni i sterilizimt u pagua nga buxheti i shtetit në vlerën e 13 mln eurove.

Burimi: Top Channel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re