Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka mbajtur fjalën e tij kundër persekutimit me bazë gjinore, në Rrjetin për Politikë të Jashtme Feministe, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Ministri Hasani kërkoi që t’i jepet fund krimeve ndaj vajzave dhe grave, duke u ndalur edhe tek situata në Afganistan.

“Këtu përmendim edhe valën e fundit të ndalimeve të grave dhe vajzave në Afganistan nga talebanët.

Ne kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj të drejtave themelore të grave dhe vajzave në Afganistan. Që nga takimi ynë i fundit në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në vitin 2023, talebanët nuk kanë bërë asnjë përparim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, veçanërisht të drejtat themelore të grave dhe vajzave në të gjithë diversitetin e tyre, përkundrazi: Talebanët janë përgjegjës për një nga situatat më të rënda dhe më të tmerrshme të të drejtave të njeriut në mbarë botën”, tha ministri Hasani.

Më tej, ai nënvizoi se politikat e ndjekura nga Afganistani për izolimin e grave dhe vajzave nga pjesa tjetër e shoqërisë, ka vënë në rrezik të ardhmen e tyre dhe të vendit.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar, në veçanti ligjin për të drejtat e njeriut, të mbrojnë të drejtat themelore të të gjithë afganëve, duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare, dhe të revokojnë të gjitha vendimet që kufizojnë të drejtat themelore të grave dhe vajzave në një formë të tillë, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës”, tha ai.

Ministri Hasani kërkoi që Afganistani të veprojë në përpuethshmëri me ligjet ndërkombëtare dhe të garantojë arsimimin e vajzave.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të FPP u mblodhën gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku theksuan se shkelja e të drejtave të njeriut në Afghanistan mund të në krime kundër njerëzimit. //

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re