U mbajt në Tiranë Konferenca mbi Prokurimin e Hapur dhe të Qëndrueshëm në Europë.

 

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku.

 

Në fjalën e tij kreu i KPP, Jonaid Myzyri Prokurimi Publik ndër shekuj, është parë si një instrument i rëndësishëm për të përmbushur kërkesat publike.

“Hartimi i procedurave mbi garat publike ka një ndikim të drejtpërdrejtë në arritjen e qëllimeve.

 

Procedurat e para për dhënien e kontratave publike datojnë që në Greqinë e Lashtë dhe në Perandorinë Romakë, ku projektet në infrastrukturë prokuroheshin ndërsa blerja i nënshtrohej ankandit të tipit auctio liciatio.

 

Ndër rregullat e parë moderne, datojnë që në vitin 1916 në Rregulloret e dorëzimit të ndërtimit të Hamburgut”, tha Myzyri.

 

Sipas Myzyrit, në Shqipëri, prokurimi publik, që në krye të herës është parë si një instrument i rëndësishëm i ndërtimit të një së ardhmeje të qëndrueshme.

 

“110 vjet më parë, Qeveria e parë e Shqipërisë, e Ismail Qemalit, përgatit të parin koncesion për ndërtimin e një trami elektrik në qytetin e Vlorës, i cili do të lidhte qytetin me skelën dhe me cesmilën e Ferrit, ku pa dyshim do të ndërtohej Vlona e re.E pikërisht këtu nisin edhe përpjekjet e para të qeverisë shqiptare për një prokurim të hapur, inovator për kohën, të gjelbër dhe të qëndrueshëm për ndërtimin e Shqipërisë, shtetit të ri, të sapodalë nga perandoria Osmane.Një kompani Italiane kishte parashtruar kërkesë pranë Ministrisë së Punëve Publike, por shteti shqiptar zgjodhi që t’i nënshtrohej një gare të hapur me shpallje publike, ku ftoheshin të gjithë të interesuarit, që jepnin një ofertë tjetër me kushte më të favorshme për qeverinë, dhe mund të shpalleshin fitues.Përpjekjet vijojnë edhe në vitet ’30. Në Fletoren Zyrtare të 22 Majit 1936 parashikoheshin rregulla të posaçme për dhënien e kontratave publike nga administrata shtetërore, për blerjen e mallrave, punëve dhe shërbimeve.Era e ndryshimeve në vitin 1990, solli gjithashtu rregulla të reja për dhënien e kontratave publike dhe procedurat përkatëse, kështu në Vendimin nr. 400 të Këshillit të Ministrave, datë 17.11.1990, “Për Blerjen Dhe Kryerjen E Shërbimeve Jashtë Sektorit Shtetëror”, u përcaktua si kriter përcaktimi i ofertës fituese, çmimi i miratuar paraprakisht ose çmimi më i ulët.Sot, 110 vjet më pas, Shqipëria, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, po ndërmerr hapa të transformimit të rëndësishëm në infrastrukturë, zhvillim urban, shëndetësi, teknologji informacioni dhe akses në një qeverisje elektronike përmes një prokurimi të hapur, transparent dhe të qëndrueshëm.Pandemia Covid 19 solli para nesh sfida të shumta, ndërkohë, më 26 nëntor 2019, Shqipëria u përball me një ndër fatkeqësitë natyrore më të rënda të 50-të viteve të fundit. Një tërmet i fuqishëm mori jetën e mbi 51 qytetarëve. Rimëkëmbja pas fatkeqësisë dhe përballja me pandeminë nuk ishte një sfidë e lehtë, e cila u zgjidh përmes një prokurimi të shpejtë, efiçent dhe të qëndrueshëm, duke përfshirë të gjitha hallkat e tij edhe në procesin e shqyrtimit të ankesave.Vetë ligji i prokurimit publik, i është nënshtruar ndryshimeve thelbësore në përputhje me katër direktivat e Bashkimit Europian, ndërkohë, digjitalizimi si një mjet i rëndësishëm i luftës kundër korrupsionit dhe aksesit në garat publike, ka dhënë edhe impaktin e rëndësishëm në sistem”, tha kreu i KPP.

 

Më tej gjatë fjalës së tij Myzyri theksoi se sistemi i prokurimit publik në Shqipëri garanton parimet më të larta të zhvillimit të garave publike, ndërkohë një transformim të rëndësishëm ka marrë edhe instrumenti i rishikimit administrativ dhe mbrojtjes së interesave të ligjshëm të operatorëve ekonomikë vendas dhe të huaj.

 

Komisioni i Prokurimit Publik, që ka nderin sot të jetë edhe mikpritës i kësaj konference të rëndësishme, në çdo ditë të tij po forcon pavarësinë funksionale, ndërkohë përmes digjitalizimit të shërbimeve ka krijuar të parin mekanizëm të ankesave online, si edhe sistemin unik të menaxhimit të ankesave elektronike, ndër më të avancuarit në Ballkanin perëndimor, i cili po redukton burokracitë për furnizuesit publik, zeron kostot dhe rrit eficencën dhe efikasitetin.Transparenca është në fokusin tonë kryesor, ku së bashku me Open Contracting Partnership dhe BERZH-in po ndërtojmë të parin standard për publikimin e vendimmarrjeve të organeve shqyrtuese të prokurimit, bazuar në parimet e Open Contracting Data Standard.E teksa promovimi i praktikave të prokurimit publik, që janë të qëndrueshme, në përputhje me politikat dhe prioritetet kombëtare, është një ndër qëllimet e Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara, sot të gjitha shtetet ndodhen para udhëkryqeve të shumta. Transparenca dhe qëndrueshmëria, forcimi i kapaciteteve njerëzore vs inteligjenca artificiale, a mundet që prokurimi të shpëtojë klimën? Përdorimi i teknologjisë në prokurim publik, a mundet të luftojë korrupsionin? Si mund të nxitet përmes prokurimit pjesëmarrja e biznesit të mesëm dhe të vogël? Si mund të ndihmojë prokurimi në transformimin e qyteteve dhe jetës sonë?Një udhëtim prej një mijë miljesh fillon me një hap të vetëm, ndaj është e rëndësishme që të shikojmë me kujdes hapat tanë.Për këtë arsye jemi mbledhur sot mbi 150-të politikëbërës dhe praktikues të prokurimit, për të vendosur gurin e qoshes, për ndërtimin e një vizioni të përbashkët të prokurimit të hapur, të qëndrueshëm dhe digjital në Evropë”, u shpreh Myzyri.

 

Kjo konferencë u organizua nga Komisioni i Prokurimit Publik të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Mbretërisë së Holandës, Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit të Republikës së Italisë, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të Shqipërisë, Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Open Contracting Partnership.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re