Nga Holanda, kryeministri Edi Rama ka zhvendosur vëmendjen nga Ukraina drejt Ballkanit Perëndimor, duke folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp pas darkës zyrtare të organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryeministri holandez, Mark Rutte në Holandë, Rama tha se nëse situata nuk normalizohet mund të ketë një fund tragjik.
“Kushdo që mund të vërë bast mbi shanset për të thyer këtë solidaritet dhe për të ndarë NATO-n ka humbur dhe do të humbasë deri në fund.
Gjithashtu mund të bisedojmë për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë të veçantë për Kosovën veriore, ku disa javë më parë ushtarët e NATO-s u lënduan. Shpresoj që ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt, sepse në të kundërt mund të sjellë fund katastrofik. Nuk mund të shohim një thyerje në rajonin tonë, që ka bërë shumë arritje”.
Krerët e lartë të shteteve anëtarë të NATO-s u mblodhën për të diskutuar në vigjilje të Samitit të Vilnius më 11-12 Korrik. Ukraina ka bërë thirrje që në mbledhjen e radhës së NATO-s të rishikohet kërkesa për anëtarësimin e saj.