Aktualisht 75 grave dhe vajzave viktima të trafikimit ju është siguruar strehimi dhe shërbimet e nevojshme, me synim riintegrimin e tyre në shoqëri

Tiranë, 30 Tetor- “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po mbështet viktimat e trafikimit me programe sociale për mbrojtjen dhe riintegrimin e tyre”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë konferencës Rajonale Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore që zhvilloi punimet sot në Tiranë.

“Aktualisht 75 vajza dhe gra viktima të trafikimit marrin shërbim, me synim riintegrimin e tyre, në qendrat që financohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, u shpreh Manastirliu. Qendra Pritëse e Viktimave të Trafikimit është e vetmja strehë publike kombëtare që siguron strehimin dhe ri-integrimin e viktimave të trafikimit vendas dhe të huaj. Por Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale financon edhe 3 qendra jopublike në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, ku ofrohet shërbim i specializuar për gratë dhe vajzat viktima të trafikimit.

Gjatë fjalës së saj Manastirliu tha se këtë vit nëpërmjet një mekanizmi të ri financiar, Fondit Social, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të mundësojë financimin e shërbimeve të reja në territor në mbrojtje të menjëhershme për grupet vurnerabël.
“Nëpërmjet Fondit Social, ne jemi të gatshëm të financojmë menjëherë shërbime për grupet në nevojë ndaj gjej rastin të nxis Bashkitë të aplikojnë për këtë fond që tashmë e kanë në dispozicion për zgjerimin apo ngritjen e shërbimeve sociale. Aktualisht janë 9 Bashki që kanë aplikuar për ngritjen e qendrave që ofrojnë shërbime për grupet vulnerabël, mes të cilave dhe vajzat dhe gratë viktima të dhunës dhe trafikimit”, tha Manastirliu.
Një tjetër program me ndikim të drejtëpërdrejtë për kategoritë në nevojë përfshirë edhe viktimat nga trafikimi, janë Ndërmarrjet Sociale, një mekanizëm i ri financiar i vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Deri tani kanë marrë statusin e ndërmarrjes sociale 3 organizata, të cilat ushtrojnë veprimtari në fushën e ofrimit të shërbimeve të drejtpërdrejta këshilluese e mbështetëse për gratë dhe vajzat, për viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme të trafikimit dhe në fushën e ofrimit të shërbimeve në mbrojtje të gruas dhe familjes. Ato përfitojnë subvencion nga shteti, me kusht që të punësojnë të paktën 30% të stafit nga grupet vulnerabël, siç janë gratë dhe vajzat e trafikuara”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Manastirliu nënvizoi se arsimimi i fëmijeve dhe fuqizimi i grave dhe vajzave është mënyra më e mirë për të parandaluar këtë fenomen çnjerëzor. Konferenca Rajonale Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, zhvilloi punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e ministrave Lleshaj dhe Manastirliu, përfaqësues të ambasadave Evropiane në Shqipëri dhe koordinatorët kombëtarë dhe rajonalë kundër trafikimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re