Skip to content

Konfirmohet rasti i parë i Virusit të Nilit Perëndimor në Shqipëri

virusi i nilit

Është konfirmuar rasti i parë i infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në Shqipëri për vitin 2026. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, rasti është evidentuar në qarkun e Korçës gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht.

Që nga fillimi i vitit 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i konfirmuar në Korçë përbën rastin e parë të regjistruar në vend këtë vit.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) vijon survejancën epidemiologjike, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit, si dhe monitorimin e situatës në vend.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 80% e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa te rastet simptomatike mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupi, të përziera dhe të vjella.

Shqipëria, me raste edhe në vitet e mëparshme

Infeksioni nga Virusi i Nilit Perëndimor është dokumentuar edhe më herët në Shqipëri. Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u raportuan 2 raste të konfirmuara.

Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës dhe survejancën për identifikimin në kohë të rasteve të reja.

Njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Gjatë monitorimit sistematik dhe intensiv të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në vend, vetëm gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht u evidentua rasti i parë për vitin 2026, në qarkun e Korçës. Që nga fillimi i muajit janar 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i evidentuar, përbën rastin e parë të konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026.

ISHP po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit të konfirmuar dhe monitorimin e situatës.

Në Shqipëri, infeksioni nga ËNV është dokumentuar edhe më parë. Në vitin 2024 janë raportuar 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 janë raportuar 2 raste të konfirmuara.