Çka u tha para pak orëve nga media amerikane është konfirmuar nga goja e presidentit Donald Trump, që ka deklaruar tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Trump u ka rezistuar përpjekjeve të aleatëve europianë për të mos e ndërmarrë këtë hap. “Po deklaroj sot se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin,” tha ai në një dalje para shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Një njoftim i administratës së tij pas kësaj bëri me dije se presidenti ka urdhëruar nisjen e procesit të rivënies së sanksioneve ndaj Iranit.

“Sanksionet e rivëna do të vënë në shenjë sektorë kritikë të ekonomisë së Iranit, si atë energjitik, petrokimik dhe financiar,” thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti iranian, Hasan Ruhani, e ka quajtur aktin e Trump-it një akt të “luftës psikologjike” kundër Teheranit. Ai ka pohuar se do të ketë negociata me vendet që i kanë qëndruar marrëveshjes, duke paralajmëruar se në javët e ardhshme mund të nisë pasurimi i uraniumit më tepër nga çka ngjarë në të shkuarën.

“E kam urdhëruar organizatën atomike të Iranit që, kurdo që të jetë e nevojshme, të fillojmë pasurimin e uraniumit më tepër se më parë.”

Ende nuk është e qartë se ç’pasojë do të ketë në arenën ndërkombëtare vendimi i Donald Trump-it.     

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re