Policia ka konfiskuar pasuri me vlerë rreth 1 mln euro të Redjan Rrajës dhe të afërmve të tij, mes tyre edhe Audi-n luksoz të ish-velinës, Kejvina Kthella, me të cilën ai ishte në një lidhje jashtëmartesore.
Uniformat blu, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, kanë zbatuar vendimin e Apelit të GJKKO-së të datës 23 Tetor 2024, që pasuritë e Redjan Rrajës dhe shtetases M. Çiça (motra e Elton Çiços) t’i kalojnë shtetit.
Pasuritë raportohet se kanë një vlerë tregu rreth 1 milion euro ju dorëzuan Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Pasuritë e konfiskuara:
1. Një njësi me sipërfaqe 30 m², në emër të shtetasit Redjan Rraja
2. Një njësi me sipërfaqe 76 m², në emër të shtetasit Redjan Rraja
3. Një njësi me sipërfaqe 127.5 m², në emër të shtetases M. Çiça
4. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Çiça
5. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Çiça
6. Një automjet në pronësi të shtetasit Redjan Rraja
7. Një automjet në pronësi të shtetases Kejvina Kthella
8. Një orë dore (Rolex).
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, operacioni “RESEMBLANCE”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nr. 05, datë 07.02.2024, lënë në fuqi me vendimin nr. 211, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në zbatim të këtij vendimi u bë konfiskimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme:
1. Një njësi me sipërfaqe 30 m², në emër të shtetasit R. Rr.;
2. Një njësi me sipërfaqe 76 m², në emër të shtetasit R. Rr.;
3. Një njësi me sipërfaqe 127.5 m², në emër të shtetases M. Ç.;
4. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Ç.;
5. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Ç.;
6. Një automjet në pronësi të shtetasit R. Rr.;
7. Një automjet në pronësi të shtetases K. K.;
8. Një orë dore (Rolex).
Pasuritë e mësipërme, të cilat kanë një vlerë tregu rreth 1 milion euro, u konfiskuan me qëllim kalimin në favor të shtetit dhe ju dorëzuan Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
******
Dënimi me burgim i përjetshëm për Redjan Rrajën
Apeli i GJKKO-së, më 5 Qershor 2024, mori vendimin për të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i akuzuar si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku, dhe u plagos Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.
Ai u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e gjetur nga policia pas atentatit. Redjan Rraja, sipas hetimeve, ka qenë personi që qëlloi me breshëri ndaj makinës së ish-prokurorit Arjan Ndoj.
SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit.
Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip benz. Gjithashtu policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.
Atentati ndodhi më 1 nëntor 2019 rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të makinës ku udhëtonin shoferi Andi Maloku, ish-prokurori Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho i njohur si Rrumi i Shijakut.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së për Redjan Rrajën
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 04.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 11 akti, datë 17.01.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit R.Rr., A.H., kundër vendimit nr. 52, datë 25.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
1.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
1.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.
1.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës A.N., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.
1.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit A.M. dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës A.L. (P.M.), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
1.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
1.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit R.Rr. me burgim të përjetshëm.
1.7 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri R.Rr., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.
******
Lidhja jashtëmartesore me Kejvina Kthellën
Redjan Rraja ka mohuar se ka pasur lidhje jashtëmartesore me ish-velinën, Kejvina Kthella. ka deklaruar para hetuesve se me Kejvina Kthellën kanë qenë vetëm miq.
Gjithashtu ka mohuar që automjeti tip Audi A8, që iu është sekuestruar nga SPAK modeles të jetë blerë nga ai.
“Kam pasur marrëdhënie miqësie më Kejvina Kthellën, asgjë tjetër”, ka deklaruar Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Redjan Rraja ka deklaruar se makina është në emër të Kejvina Kthellës se nuk ka dijeni as kur është blerë.
“Ajo makinë ka qenë më emër mbiemer të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është u saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja.
Në lidhje me të ardhurat e tij, Redjan Rraja ka dëshmuar se ka tre klinika stomatologjie dhe se siguron deri në 200 mln lekë të vjetra.
“Asnjëherë nuk kam shpenzuar më shumë se fitimet e mia”, tha ai.
Dëshmia e Kejvina Kthellës
Ishin përgjimet e vjehrrës së Redjan Rrajës që kanë zbuluar raportin mes tij dhe ish-velinës.
Në përgjime, vjehrra e Rrajës shprehet se “kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…”
Nga ana tjetër në dëshminë e saj për policinë (datë 05.11.2019), Kejvina Kthella ka pranuar lidhjen jashtëmartesore me Redjan Rrajën.
“Herën e fundit që jam takuar me Redjanin ka qenë ditë e enjte, datë 31.10.2019. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes unë ndodhesha në banesë dhe ka ardhur Redjani. Kemi qëndruar gjatë natës së bashku dhe në mëngjes, më datë 01.11.2019, rreth orës 10:30 unë jam larguar për në punë, ndërsa Redjani qëndroi në banesë. Kam komunikuar gjatë ditës me të disa herë dhe ai është larguar nga banesa dhe kishte shkuar në Durrës me disa miq të tij.
Ishin duke pirë diçka me sa më tha ai, por nuk di detaje me saktësi. Dua të them se unë kam komunikuar thuajse çdo ditë me Redjanin në telefon, por nuk jemi takuar. Me sa mbaj mend, ditën e shtunë, më datë 02.11.2019, kur kam komunikuar në telefon, Redjani më ka thënë se ishte jashtë shtetit.
Po kështu, edhe ditën e diel, më datë 03.11.2019 kemi komunikuar normalisht rreth orëve të paradites dhe thjeshtë kemi bërë bisedë normale. Unë komunikoj nëpërmjet telefonit tim, me numër 06924 XXXXX, Redjani disponon numrin e telefonit 06920 XXXXX””, është shprehur modelja.
PERGJIMET NE DOSJEN E SPAK
Në dosjen e SPAK-ut, mes shumë dëshmish në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, është edhe ajo e modeles Kejvina Kthella, e cila është pyetur, duke qenë se një natë para ngjarjes kishte fjetur me Redjan Rrajën në shtëpinë e saj.
Ajo tregon se më datë 1 nëntor 2019 (ditën kur ndodhi atentati), ka komunikuar në telefon me Redjanin dhe i ka thënë se ishte në Durrës me disa miq. Ndërsa alibia që Rraja kishte tentuar të ngrinte, është rrëzuar nga bashkëshortja e tij, e cila gjatë deklarimeve ka thënë se Redjani ndodhej në Belgjikë. E po kështu, edhe një përgjim i vjehrrës së tij me një mikeshë, është cilësuar me shumë interes për hetimin.
PERGJIMI I VJEHRRES SE RRAJES
Shumë interes paraqet biseda e datës 11.11.2019, ora 09:38:12, bisedë që zhvillohet mes shtetases Leonora Shehu (e ëma e shtetases Odesa Rraja që është bashkëshortja e Redjan Rrajës), përdoruese e telefonit me numër 06938XXXXX (lejuar përgjimi me vendimin nr.952, datë 04.11.2019 të Gjykatës) dhe një shtetase të thirrur Vera. Në këtë komunikim paraqesin interes këto biseda:
Leonora: Jo me jo… por kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…
Vera: Uh!
Leonora: Ne e dinim se ishte jashtë moj motër, se dinim fare se ishte këtu. Kishte thënë se do vejë jashtë, do bëjmë dokumentet, se do vemi të jetojmë në Belgjikë.
Vera: Dëgjo këtu, motër. Po është ashtu, më mirë një orë e më përpara, të rrijë rehat vajza…
Leonora: Dëgjo, atij ia kanë futur, se nuk është i tillë ai që të arrijë gjer atje. Ai… çfarë nuk bën vaki moj motër. Duhet t’ia ketë futur ndonjëri, po se duhet të ikte andej për jashtë shtetit. Ai donte të ikte pasi familja e dinte se ai nuk ishte fare këtu ai… Edhe gruaja dhe fëmijët e dinin që ishte jashtë shteti…
Nga kjo bisedë del qartë se shtetasi Redjan Rraja, në përpjekje të ndërtimit të një alibie, ka përgatitur si familjarët, ashtu edhe shtetasen Kejvina Kthella se do të ikte jashtë shtetit.