VALENTINA MADANI/ Tirana do të presë sot përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.

Për herë të parë ky samit do të mbahet jashtë kufijve të Unionit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shtyrë me disa orë mbërritjen në Shqipëri për shkak të një sulmi ekstremist, ku u vra një mësues dhe situatës në Lindjen e Mesme. Ai nuk do të mund të marrë pjesë në takim, por do të vazhdojë me planin për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidentja e Komisionit të Europës, Ursula von der Leyen, mbërriti pasditen e djeshme në Tiranë, ku në një konferencë së bashku me kryeministrin Edi Rama tha se në këtë samit duhet të përqendrohemi te një plan i ri për rritjen e BE-së. Duke dhënë një notë pozitive përcolli tri mesazhe.

“Duam që ju të bëheni pjesë e jona që të plotësojmë BE. Shqipëria ka arritur vërtet shumë. Objektivi ynë i përbashkët është të çelim negociatat për atë që ne e quajmë grup kapitujt e pjesëve themelore sa më shpejt të jetë e mundur deri në fund të vitit. Mesazhi i dytë: Ndërkohë që vijojmë të ecin drejt anëtarësimit po ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët dhe ne duhet të nisim menjëherë. Që tani të krijojmë mundësi të reja tregtie mes nesh. Kemi nisur me planin e investimeve 30 miliardë euro’ Janë mobilizuar 1.4 mld euro me projekte shumë të rëndësishme si hidrocentrali Fierzës, por edhe me hekurudhën me Malin e Zi.

Dua të përqendrohem te plani i ri i rritjes i BE-së, sepse këtu po ecim drejt një faze të re veprimesh, pasi ky plan ka potencialin nëse vihet në zbatim, siç duhet ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonominë tuaj brenda këtij 10- vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e vetëm të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të BP. Natyrisht, kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme. Mesazhi ynë i tretë është që investimet tona do të kenë të njëjtën vlerë si punët tuaja. Kjo po vjen në momentin e duhur që Shqipëria dhe BE-ja të jenë më pranë njëra tjetrës”, – deklaroi Von der Leyen.

Kryeministri Rama e cilësoi BE-në si “shkollën më të sofistikuar dhe më e vështirë e shtetbërjes demokratike”. Rama u shpreh se, “BE nuk është një dyqan dhuratash”, ndërsa theksoi se “Shqipëria ka pasur një histori që nuk e ka bërë ngritjen e një shteti në shekuj dhe BE është ndihma për të pasur një shtet demokratik për të mundësuar vlerat dhe standardet evropiane”.

Po ashtu, Rama tha se Shqipëria duhet të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë financime nga BE.

“Shumë shpesh ne e lidhim BE-në dhe KE-në me financime. Janë shumë të rëndësishme dhe pa diskutim që BE-ja është rripi i sigurisë për të gjitha vendet e komunitetit evropian, ku e keni parë në krizat si pandemia, rritja e çmimit të energjisë. Përveçse si e tillë, BE-ja nuk është një dyqan dhuratash, por shkolla më e sofistikuar dhe më e vështirë e shtetbërjes demokratike. Në rajon ne jemi vend me traditë të varfër institucionesh. Shqipëria ka pasur një histori që nuk e ka bërë ngritjen e një shteti në shekuj dhe BE është ndihma jonë për të pasur një shtet demokratik për të mundësuar vlerat dhe standardet evropiane.

Ne duhet që të bëjmë detyrat e shtëpisë sa më mirë, në mënyrë që të marrim më shumë financime. Kjo do të ndihmojë për të bërë më shumë përpjekje. Nëse BE-ja kërkon që Procesi i Berlinit të materializohet ku rriten liritë e lëvizjes së njerëzve dhe nëse nga ana tjetër thotë që duhet të kemi më shumë akses në tregun e përbashkët, ta harrojmë nëse nuk kryejmë detyrat tona. Këto janë risi dhe vjen nga fryma gjeopolitike që ka ky komision”, – tha Rama.

Në konferencën e përbashkët për mediat, presidentja e Këshillit të Europës dhe Edi Rama deklaruan se në Samitin e Procesit të Berlinit që do ta mbahet nesër, nuk do të ketë një qëndrim për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Von der Leyen shtoi se këto dy shtete duhet të ulen në tryezën e dialogut ndërmjetësuar nga BE-ja. Rama shtoi se tipikisht ky proces nuk është vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale.

“Marrëveshja e Ohrit është ato që u arritën në shkurt dhe mars, baza për pajtimin përmes dialogut të BEsë. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehet në tryezë për normalizimin e marrëdhënies. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen, sepse Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE”, – tha Ursula Von der Leyen.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re