Policia e Korçës ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur në Bilisht, ku i përfshirë ka qenë kandidati në listën e sigurt të Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, dhe vëllai i tij, Alti Nallbati, i njohur me nofkën “Duçja”, të cilët janë përfshirë në një konflikt verbal me një shofer kamioni.
Policia bën me dije se është arrestuar Alti Nallbati, ndaj të cilit rëndojnë veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe ” Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Blutë sqarojnë se edhe Bledjon Nallbati është përfshirë në sherr pasi fillimisht ka tentuar të qetësojë situatën, por më pas, bazuar në pamjet filmike ka tentuar të zbresë me forcë nga kamioni shoferin.
Ngjarja sipas burimeve dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, pasi në deklarimet e dhëna pas ngjarjes, dy vëllezërit kanë pohuar se shoferi i kamionit po udhëtonte me shpejtësi dhe ka rrezikuar t’i godiste nga pas.
SHIKO VIDEO KËTU
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me një konflikt të ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrethrrotullimin e Bilishtit, arrestuan në flagrancë shtetasin A. N. 42 vjeç, banues në Devoll, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe ” Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë menjëherë pas konfliktit të ndodhur midis shtetasve A.N, B.N dhe shoferit te një kamioni transporti shtetasi S.D.
Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike dhe kryerjes se veprimeve të tjera hetimore, rezultoi se më datë 03.05.2025, rreth orës 21:15 , në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në qytetin e Bilishtit shtetasi A.N, ka ndaluar automjetin me të cilin lëvizte bashkë me vëllanë e tij shtetasin B.N (kandidat për deputet i një subjekti politik) duke penguar qarkullimin e automjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor.
Shtetasi A.N ka dalë nga automjeti dhe ka debatuar verbalisht me një drejtues kamioni, dhe më pas ka tentuar ta zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D, dhe ka tentuar ta qëllojë me grushte si dhe ta ofendojë duke kryer veprime të pa hijshme në publik.
Në këtë konflikt është përfshirë edhe vëllai i tij, shtetasi B.N, ku fillimisht ka tentuar të qetësojë situatën por më pas, bazuar në pamjet filmike ka tentuar të zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.