Amarildo Ndoj, i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit me armë në Laç të shtunën (3 Maj), ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
I riu mësohet se ndodhet në reanimacion dhe pritet ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërsa tre të plagosurit e tjerë, Daniel Gjeloshi dhe Liridon Ismailaj, Angjelina Ndoj ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata do të vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve në SUT.
Ndërkohë viktimë e përplasjes me armë ka mbetur 24-vjeçari Gerald Bitri. Ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe për pasojë ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm (4 Maj) në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Dinamika
Policia thekson se sherri ka nisur nga fërkimi i mjeteve që më pas ka rezultuar në përdorim armësh, ndërsa ajo që bën përshtypje në këtë akt fatal për jetën e tyre është fakti se dy djem, në moshë të re, mbajnë armë pa iu trembur policisë dhe as ligjit. Djali i dorëzuar në polici quhet Klevis Ndreca. Ai ka qenë në njërin nga mjetet, ndërkohë që ka dëshmuar se e nxori armën dhe i qëlloi i pari pasi ‘e dija që ishin të armatosur’! Dhe fatkeqësisht ashtu ka rezultuar.
Në mjetin tjetër që gjendeshin tre të rinjtë e tjerë, njëri prej tyre, i vënë para plumbave ka nxjerrë armën dhe është kundërpërgjigjur, për pasojë e kësaj përplasjeje është plagosur edhe një grua, e cila është gjendur aty rastësisht dhe madje ka tentuar të hyjë mes tyre që djemtë të mos grindeshin. Por ka qenë vonë! Kelvis Ndreca u vu në pranga, e po të njëjtin fat ka pasur edhe njëri prej të rinjve nga pala tjetër, i cili e kishte hedhur armën që mbante me vete me qëllim për të humbur gjurmët.
Klevisi e ka dorëzuar armën në momentin që ka mbërritur në Komisariat, ndërkohë që në dëshminë e dhënë për grupin e hetimit ka theksuar se ishte ndaluar të fliste me ta për t’u sqaruar në lidhje me përplasjen me makina, por duke qenë se ishin të armatosur ai ka preferuar të gjuante i pari, nga frika se do të vritej. Në fakt, policia në asnjë njoftim as të së shtunës dhe as të së dielës nuk bën me dije se ku e si ka ndodhur përplasja-aksident, çka do të thotë se nuk ka qenë fare e pranishme në momentin kur dy automjetet janë përplasur, pasi mund të ishte shmangur edhe konflikti mes të rinjve.
DETAJET
Referuar të dhënave të ardhura nga Laçi, për ngjarjen e rëndë me një të vrarë e 4 të plagosur, është bërë me dije se gjithçka ka qenë momentale dhe se djemtë nuk kanë pasur ndonjë konflikt të mëparshëm.
Klevis Ndreca, 28 vjeç, është arrestuar, pasi u vetëdorëzua, për përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë që ndodhi në Laç, në afërsi të ishGjykatës së rrethit, ku u plagosën disa të rinj dhe një person humbi jetën. Kështu njoftoi policia e Lezhës dje, teksa dha detajet për humbjen e jetës së Gerald Bitrit. Ndreca që është lindur dhe i rritur në Laç ishte në makinë me Amarildo Ndojn, nga Sanxhaku, 26 vjeç, ndërsa Daniel Gjeloshi, po nga Laçi, 26 vjeç, udhëtonte me Liridon Ismalajn, 26 vjeç, e edhe ky nga Laçi, ndërsa me ta gjendej edhe Gerald Bitri, 24 vjeç. Sipas të dhënave të policisë konflikti verbal mes të rinjve ka nisur pasi dy makinat janë përplasur aksidentalisht për shkak të pasqyrave të makinës, që kanë shkaktuar një mosmarrëveshje mes të rinjve. Pas disa minutash, situata është agravuar dhe ka kaluar në përdorimin e armëve të zjarrit. Të rinjtë kishin ndaluar dhe janë përpjekur të sqaroheshin, por sapo kanë zbritur nga makinat, Ndreca ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar.
Ngjarja ka përfunduar me dy persona të plagosur rëndë, dhe tragjikisht, Gerald Bitri ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra. Përveç tij, Amarildo Ndoj dhe një shitës ambulant janë plagosur aksidentalisht gjatë të shtënave. Daniel Gjeloshi, gjithashtu, ka kundërpërgjigjur me armë, por nuk ka goditur askënd. Arma e përdorur nga Gjeloshi është gjetur pak metra larg vendit të ngjarjes.
Klevis Ndreca, pas ngjarjes, është vetëdorëzuar në polici dhe ka dorëzuar armën e krimit. Në dëshminë e tij, Ndreca ka deklaruar se ka qëlluar, sepse ka ndjerë frikë dhe ka menduar se të rinjtë kishin armë dhe po përpiqeshin ta godisnin. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të përdorimit të armëve në këtë konflikt mes djemve të së njëjtës moshë dhe të lindur dhe të rritur në Laç, të cilët është e pamundur të mos njiheshin me njëri-tjetrin!/Gazeta Panorama