Në Kongresin Amerikan u paraqit projektligji “Akti Burma”, i cili vendos sanksione ndaj ushtrisë që kreu grushtin e shtetit në Mianmar më 1 shkurt dhe zyrtarëve që shkaktojnë shkelje të të drejtave të njeriut në vend.

Projektligji “Akti Burma”, i cili mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kongresit, iu paraqit veçmas komiteteve të punëve të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Duke bërë një deklaratë me shkrim për këtë çështje, kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Gregory Meeks dha mesazhin se nëse projektligji i lartpërmendur bëhet ligj, SHBA do të vendosë sanksione shumë të qarta kundër ushtrisë që kreu grushtin e shtetit në Mianmar.

Duke deklaruar se përveç gjeneralëve puçistë, zyrtarët e përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut në vend do t’i nënshtrohen sanksioneve, Meeks theksoi se SHBA-ja do t’i shtrijnë dorën popullit të Mianmarit në aspektin e ndihmës humanitare.

Projektligji në fjalë parashikon ndalimin e shitjes së armëve amerikane në Mianmar, vendosjen e sanksioneve ndaj atyre të përfshirë në grusht shteti dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, hetim nga Departamenti Amerikan i Shtetit nëse është kryer krimi i gjenocidit kundër muslimanëve Rohingya dhe ndihmë humanitare për popullin e Mianmarit.

Projektligji pritet të miratohet nga të dy dhomat e Kongresit dhe të nënshkruhet së shpejti nga Presidenti Joe Biden.

– Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt, pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2020 dhe pas tensioneve politike në vend.

Ushtria kishte ndaluar shumë zyrtarë dhe drejtues të partisë në pushtet, veçanërisht udhëheqësen e vendit dhe ministren e Jashtme, Aung San Suu Kyi, dhe për një vit kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë së Mianmarit kundër protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve rebele, rreth 1.000 njerëz kanë humbur jetën dhe mijëra demonstrues janë arrestuar.

Teksa demonstratat në shkallë të gjerë vazhdojnë ende në vend, gjithashtu vazhdon gjyqi ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë në gjykatat ushtarake.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re