Skip to content

Kongresi çertifikon Joe Biden si presidentin e 46-të të SHBA-ve

Kongresi Amerikan ka zyrtarizuar Joe Biden si presidentin e 46-të të SHBA-ve, pavarësisht momenteve të tensionit dhe dhunës që u shënuan në sheshin Capitol. Numërimi i tre votave elektorale të Vermontit vendosi Biden dhe Zëvendës Presidentin e zgjedhur Kamala Harris mbi pragun e nevojshëm për të fituar presidencën.

Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve refuzuan kërkesën e Trump që votat e Georgia dhe Pennsylvanisë të mos i kalonin Biden. Republikanët gjithashtu kundërshtuan votat elektorale të Arizonës, Nevadës dhe Miçiganit, por mocionet dështuan para se të mbërrinin në debat.

Certifikimi vjen pasi protestuesit e Pro-Trump sulmuan Capitolin e SHBA më herët gjatë ditës së mërkurë, ku si pasojë e përplasjeve puna e Kongresit u ndërpre për disa orë me radhë.

Bidenit i janë certifikuar 306 vota elektorale, kundrejt 232 12 i janë certifikuar Donald Trumpit.

Bideni 78-vjeçar është presidenti i 46-të i SHBA-së. Ai i ka fituar zgjedhjet në SHBA të mbajtura më 3 nëntor, ndonëse Donald Trump vazhdimisht i ka kundërshtuar rezultatet, duke aluduar për manipulim të votave dhe vjedhje të fitores së tij

Biden pas sulmit kishte bërë thirrje për qetësi dhe kishte thënë se demokracia e SHBA-së është nën sulm të paprecedent. Ai kërkoi nga Trump që t’i adresohet protestuesve dhe t’u thotë të shpërndahen.

Inagurimi i Bidenit do të jetë më 20 janar, ndërkohë që nga protestat që u zhvilluan dje përpara Kongresit 4 persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u lënduan.