U mbajt sot në Tiranë, Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, (TNT 2022) NanoBalkan me përfaqësimin e Instituteve prestigjioze të teknologjisë nga 25 shtete të ndryshme, e në një diskutim profesional për arritjet e sfidat e sotme të teknologjisë, si edhe mundësitë e ambiciet zhvillimore të Shqipërisë në këtë aspekt, në fushat e shëndetit, sigurisë, bujqësisë, mjedisit.

 

Kryeministri Edi Rama përshëndeti Kongresin, duke theksuar se qeveria shqiptare do të sigurojë të gjithë mbështetjen për këtë komunitet dhe për njësinë e re të nanoshkencës, nanoteknologjisë në Shqipëri.

 

“Ekipi im kishte bërë një fjalim të gjatë, por mendova ta kursej kohën tuaj se nuk keni nevojë të dëgjoni nga unë se çfarë është nanoteknologjia dhe dëshiroj të ndalem në pak pika; në radhë të parë, të falenderoj nga zemra profesor Merkoçin dhe profesor Correian, të cilët të së bashku janë angazhuar në një rrugë që në fillim, me thënë të drejtën, dukej si një angazhim utopik, por besoj fort që sot në këtë kongres të dytë ndërkombëtar këtu në Tiranë është një angazhim konkret, i konkretizuar me 26 grupe që punojnë nga vende të ndryshme dhe që na japin mundësinë për ta parë plotësisht të realizueshëm hapin tjetër, hapin e çeljes së një qendre të nanoteknologjisë ose më saktë, hapin e futjes së NanoAlb-it në një mjedis fizik pune, të cilin siç ia kam premtuar profesorit kur u takuam vjet, e kemi gati dhe me shumë kënaqësi do t’iu shoqërojmë për ta këqyrur dhe pastaj për të zgjedhur së bashku sasinë e mjedisit të nevojshëm për ta filluar këtë proces.

Unë dua t’ju siguroj që mbështetja jonë për këtë komunitet dhe për njësinë e re të nanoshkencës, nanoteknologjisë këtu në Shqipëri është e padiskutueshme dhe kam shumë dëshirë, por kam dhe besim që kongresin e tretë që do të bëhet vitin e ardhshëm ne ta kemi këtu në Tiranë me rezultatin konkret dhe me realitetin konkret të njësisë, e cila ma ha mendja brenda një viti do të jetë plotësisht e ngritur dhe kështu edhe ai projekti që nuk keni arritur dot ta fitoni afro 20 milionë euro do mund të fitohet bazuar dhe në faktin që ka një njësi këtu që është operative dhe për momentin le të jemi të kënaqur me atë projektin tjetër 1 milionë e disa euro që tha profesori që keni fituar.”- tha kryeministri Rama gjatë Kongresit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re