Më 5 maj 2025, në ambientet e Hotel Tirana International, u mbajt me sukses Kongresi i Parë Kombëtar i Mamive, me temën: “Mamia si Figurë Thelbësore e Kujdesit Shëndetësor në Shqipëri: Inovacioni dhe Lidershipi për Shëndetin e Nënës dhe të Fëmijës”.

Ky kongres, i organizuar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë (UISH) dhe i moderuar nga Eglantina Bardhi, drejtuesja e organizatës Together for Life, mblodhi mbi 50 profesionistë nga Shqipëria dhe Kosova për të reflektuar mbi rolin kritik të mamisë në sistemin shëndetësor dhe për të ndarë praktika, sfida dhe vizione për të ardhmen.

Aktiviteti u hap me ekspozitën “Kujdesi përmes Artit”, ku studentët e infermierisë dhe mamisë prezantuan punime që pasqyronin përjetimet e tyre personale mbi kujdesin, lindjen dhe humanizmin në profesionin e mamisë. Përmes ngjyrave dhe formave, ata sollën një reflektim të ndjeshëm mbi lidhjen mes nënës dhe fëmijës, dhe mbi rolin jetik të mamisë në këtë proces.

Fjalën përshëndetëse e mbajti znj. Blerina Duka, Presidente e UISH-së, e cila u ndal te rëndësia e njohjes dhe fuqizimit të mamive në Shqipëri:

Ky kongres është dëshmi e angazhimit tonë për të forcuar rolin e mamisë në sistemin shëndetësor dhe për të promovuar kujdesin cilësor gjatë dhe pas shtatzënisë. Mamia është më shumë se një profesion. Është një thirrje që mbart në vetvete përkushtimin, ndjeshmërinë, përgjegjësinë për jetën e re.

Në vijim, znj. Nexhmije Gori, Presidente e Odës së Infermierëve të Kosovës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe vizionit të përbashkët për avancimin e shëndetit publik:

Mamia është një mision jetik. Ajo qëndron pranë jetës së fëmijës që lind, pranë nënës që jep jetë dhe pranë familjes që po rritet. Në kohë të sfidave dhe ndryshimeve të mëdha, nevoja për inovacion, për udhëheqje bazuar në dije dhe për bashkëpunimin rajonal është më e rëndësishme se kurrë më parë. Kosova dhe Shqipëria ndajnë jo vetëm gjuhën dhe kulturën, por edhe vizionin për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të fortë, më të drejtë, më të avancuar, në fokus pacientin.

Z. Genci Hyska, drejtues i Maternitetit “Koço Gliozheni”, nënvizoi përpjekjet institucionale për përmirësimin e infrastrukturës dhe aksesit në shërbime cilësore:

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me qeverinë italiane, është duke zhvilluar projektin për rikonstruksionin e disa materniteteve dhe ri-organizimin e sistemit të neonatologjisë. Një arritje e madhe është gjithashtu ofrimi i Fekondimit In-Vitro falas në institucionet publike për çiftet që duan të kenë fëmijën e parë dhe nuk munden në mënyrë natyrale.”

Kongresi përfshiu sesione shkencore dhe diskutime mbi tema kyçe si:

  • Inovacionet në obstetrikë dhe neonatologji
  • Lidershipi i mamive në shëndetësi
  • Edukimi shëndetësor dhe etika profesionale
  • Digjitalizimi i shërbimeve mjekësore
  • Bashkëpunimi ndërdisiplinar dhe sfidat profesionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar

U prezantuan mbi 50 punime profesionale, të cilat ndanë kërkime, përvoja klinike dhe propozime për përmirësimin e kujdesit për nënën dhe fëmijën. Në diskutime morën pjesë profesionistë nga spitalet universitare “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe përfaqësues të institucioneve akademike dhe profesionale nga Shqipëria dhe Kosova.

Ky kongres u shënua si një moment historik për fuqizimin e rolit të mamisë dhe krijimin e një rrjeti bashkëpunues mes profesionistëve të fushës. Ai vërtetoi se mamia nuk është vetëm një profesion shëndetësor, por një rol kyç për të ardhmen e shëndetit publik në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko