Konispol/Ndezi zjarr për pastrim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën 3.5 ha kullotë dhe një stallë me bagëti të imta, procedohet penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, 70-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasin:
F. M., 70 vjeç, banues në fshatin Markat, Konispol.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, më datë 26.07.2025, rreth orës 09:00, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një pjese toke kullotë në malin e fshatit Markat dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve nga era e fortë, është djegur një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh me barishte dhe shkurre. Zjarri është përhapur edhe në territorin e banuar të fshatit, ku ka shkaktuar djegien e një stalle me bagëti të imta (10 krerë dele) dhe një koteci me shpendë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Strukturat e Policisë në të gjithë territorin e qarkut të Vlorës vijojnë intensivisht punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo autori të zjarrvënieve.
