VALENTINA MADANI/ Mazhoranca dhe opozita u dakordësuan dje për të shtyrë edhe me 6 muaj mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, i bashkëdrejtuar nga Damian Gjiknuri dhe Enkeled Alibeaj.

Të dy kanë bashkëfirmosur një kërkesë ku kërkojnë më shumë kohë për të ndryshuar ligjin elektoral, ndërkohë që mbledhja e fundit publike e këtij komisioni është zhvilluar dhjetorin e vitit të shkuar. Por pavarësisht se për të vijuar punën e këtij komisioni bipartizan, palët janë dakord, ajo që i ndau dhe shkaktoi debate në seancë ishte kërkesa e Gazment Bardhit për të miratuar dhe ndryshimet në përbërjen e përfaqësuesve të opozitës në këtë komision.

Gazment Bardhi kërkoi në Kuvend që të miratohet vendimi për ringritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Bardhi kërkoi që sot të kryhet votimi për ndryshimin e komisionit për Reformën Zgjedhore.

“Përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Na rezulton se e kanë lënë Reformën Zgjedhore në heshtje. Komisioni ka harruar të zgjidhet dhe kanë mbetur deputetë që kanë dorëzuar mandatin. Grida Duma ka lënë mandatin dhe është në punën e vet. Për ta bërë efikas komisionin kemi vendosur që të nisim punën. Nëse po i zgjasni afatin, mund ta lini opozitën pa komision. Duhet të plotësohet ekipi i komisionit për Reformën Zgjedhore. S’keni pse ndërhyni!”, tha Bardhi.

Por kreu i grupit të PS-së, Bledi Çuçi, propozoi që të shtyhet fillimisht afati për Reformën Zgjedhore.

“Ka një nevojë të menjëhershme të fillojë komisioni për Reformën Zgjedhore. Kemi detyrim kushtetues nga vendimi që vjen nga GJK në lidhje me elementë të rëndësishme të Kodit zgjedhor. Është një komision ndoshta nga më të rëndësishmit. Shpresoj që edhe kolegët të kenë durimin dhe të japin konsensusin dhe të ulen pa paragjykime në mënyrë që të bëjnë më të mirën për Shqipërinë. Nuk jemi ne ata që i zgjedhim përfaqësuesit e opozitës në Komision. Asnjë veprim, duke nisur që nga kryetarja e Kuvendit, nuk ka adresuar këtë gjë. Meqë kemi një vendim për shtyrjen e afatit të komisionit, nga pikëpamja procedurale ta shtyjmë sot dhe seancën tjetër shkojmë me ndryshimet përkatëse, pasi edhe ne kemi nevojë të bëjmë ndryshime’, theksoi Çuçi.

Bardhi nga ana e tij insistoi, se pas votimit për zgjatjen e afatit, të kryhet edhe votimi për ndryshimin e Komisionit të PD-së për Reformën Zgjedhore.

“Ju mund të ndryshoni çdo emër që dëshironi, kjo s’na pengon edhe pas miratimit të përbërjes. Unë gjykoj që sa kohë komisionit i mbaron afati. Kishim mundësinë të zgjeronim objektin e komisionit duke përfshirë raportin e OSBE për 14 majin, ju gjykuat që kjo është një çështje që diskutohet në komision dhe s’ka nevojë për ndërhyrje. Sot të miratohet ndryshimi i opozitës, s’kemi pse ju presim ju, ne kemi vendosur do bëjmë ndryshime për ekipin e opozitës. Kur ju të dëshironi ne jemi dakord të ndryshoni kë ju të çmoni brenda komisionit të reformës zgjedhore. Kërkoj të miratohet sot bashkë me zgjatjen e afatit”, tha Bardhi.

Ndërsa Fatmir Mediu kërkoi që të miratohen të dyja. “Sot duhen miratuar të dyja në mënyrë që nesër të nisim punën”, tha Mediu.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re