VALENTINA MADANI/ Pakti i dakordësuar në parim mes demokratëve të Sali Berishës dhe socialistëve për rikthimin e normalitetit në Kuvend nuk mundi të zyrtarizohej dje në Konferencën e Kryetarëve.

Mbledhja e parashikuar u shty, pasi vijojnë ende konsultimet mes palëve dhe se u nevojitet më tepër kohë për të çuar përpara punën e nisur. Ajo që duket se ende nuk ka marrë zgjidhje ka të bëjë me objektin e hetimit të komisioneve të pranuara nga mazhoranca për sistemin TIMS dhe ato në Shëndetësi, si dhe formulën e përbërjes së nënkomisionit për Reformën Zgjedhore. Por pavarësisht shtyrjes së Konferencës së Kryetarëve, demokrati Gazment Bardhi mohoi të ketë një tërheqje nga ana e deputetëve të opozitës për dakordësinë e arritur të martën në parim me socialistët, për të cilën kishte thirrur edhe mbledhjen e grupit, ku informoi të vetët.

“Është dakordësuar shtyrja e mbledhjes. Nuk ka asnjë marrëveshje. Ka një dialog politik normal për një vend kandidat në BE, që ne institucione, palët politike të dialogojnë. Ka gjetur dakordësi në parim”, – deklaroi Bardhi.

Por ky akord i arritur në parim mes palëve duket se nuk është pritur mirë nga një pjesë e deputetëve demokratë, mes të cilëve edhe Ervin Salianji. Salianji tha se të drejtat e opozitës sot janë të kufizuara. Sipas tij, ngritja e 2 komisioneve hetimore nga 8 që ka kërkuar opozita kufizon të drejtën e hetimit parlamentar.

“A ka nja dy-tre muaj që Rama thotë me ligjin e ri merrini 8 komisionet hetimore. Nuk mund të bërtas për fitore kur Rama thotë merr 8 dhe ne marrim 2. Kufizimi që bëhet me dy anëtarë është prapë një hap prapa. Nëse komisioni kishte gjithëpërfshirje, tani janë vetëm dy palët”, – deklaroi Salianji.

Sipas tij, marrëveshja me socialistët ul besueshmërinë dhe ndikon negativisht në perceptimin e opozitës në shoqëri.

“Koha do të na konfirmojë që me Ramën asgjë nuk ndodh. I gjithë faktori ndërkombëtar ka kërkuar normalizimin. Nuk mund t’ia japim si bonus. Ne e kemi pasur të drejtën dhe e kemi refuzuar. Çfarë kemi fituar? Kjo marrëveshje na ul besueshmërinë dhe ndikon negativisht në perceptimin e opozitës në shoqëri”, – tha Salianji.

Ndonëse palët në të dyja kampet mohojnë zërat për prishje të dakordësisë, mbetet për t’u parë nëse kjo javë do të zyrtarizojë paktin e arritur më herët që pritet t’i japë fund strategjisë bllokuese të opozitës, për t’iu rikthyer jetës normale në Parlament në seancën plenare të 21 marsit.

Mbledhja e ditës së martë e Konferencës së Kryetarëve i dha fund qëndrimit bllokues të opozitës në seancat plenare dhe komisionet parlamentare, duke arritur dakordësi për vijimin e punës me ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita. Komisionet që pritet të ngrihen janë komisioni hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe komisioni hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS.

Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakord që opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy komisioneve hetimore që u rrëzuan më 12 tetor të vitit të kaluar. Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakordësi në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi i opozitës në proceset e reformave.

Palët kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 nga mazhoranca – 2 nga grupi parlamentar i PD). Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit evropian. Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Konsensusi vjen për herë të parë, pas rreth 5 muajsh kaos në Kuvend, teksa “Rithemelimi” u ul dje në tryezën e Konferencës së Kryetarëve përballë deputetëve të mazhorancës. Pas mbledhjes së grupit demokrat, u mandatua Gazment Bardhi për negociatat me Partinë Socialiste. Dakordësia e parë në parim mes socialistëve dhe “Rithemelimi” u arrit për ngritjen e dy komisioneve hetimore, konkretisht për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS, ndërsa tjetri për 4 koncesionet e sterilizimit në Shëndetësi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re