Denisa Canameti

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ftuar grupet e interesit në një takim të përbashkët, për të diskutuar mbi strategjinë e re të shëndetësisë 2021-2030. Pjesë e këtij takimi, krahas institucioneve shëndetësore ishin edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat janë ftuar edhe më herët të japin sugjerime dhe rekomandime me qëllim përmirësimin e këtij dokumenti, i cili synon të përcaktojë dhe të arrijë objektivat e programit për mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullsisë shqiptare. Krahasuar me strategjinë e mëparshme të shëndetit, strategjia aktuale reflekton mësimet nga COVID-19 dhe adreson në mënyrë specifike nevojën për të rritur kapacitetet për t’iu përgjigjur emergjencave shëndetësore dhe për të rritur elasticitetin e sistemit shëndetësor në përgjithësi.

Bazuar pikërisht në sfidat me të cilat u përballën pacientët kronikë, (mbi 400,000 në gjithë Shqipërinë) gjatë pandemisë Covid-19, TFL ka dhënë rekomandime me shkrim, duke i mëshuar kërkesës që në strategjinë e re të integrohet menaxhimi i të sëmurëve kronikë në rast epidemish/pandemish. Kjo nevojë bazohet në: a- problematikat që u hasën gjatë pandemisë Covid-19, b-të sëmurët kronikë si grup risku, c-rekomandimet e Samitit Global të Shëndetit për të nxitur qasje për shoqërinë dhe shëndetin, duke promovuar përgjegjësinë në nivelet më të larta të qeverisjes për arritjen e një gatishmërie, parandalimi, zbulimi dhe reagimi më të mirë, ç– thirrjen e OBSH-së për të qenë gati për pandemi/epidemi të mundshme, marrë parasysh prirjen e dekadave të fundit për pandemi.

Përfaqësuesja e Shoqatës Together for life znj. Eglantina Bardhi, pjesë e takimit me institucionet dhe grupet e interesit, foli për strategjinë e re dhe për rolin e shoqërisë civile. Znj. Bardhi gjithashtu u shpreh falënderuese ndaj institucioneve për qasjen pozitive në përfshirjen e shoqërisë civile në proceset e konsultimit.

Strategjia e re ka pesë synime themelore: 1. Investimi në shëndetin e popullatës përmes qasjes pergjate gjithe jetës 2. Progresi drejt mbulimit me sherbim universal 3. Fuqizimi i sistemit shëndetësor me në qendër qytetarin dhe te integruar 4. Përforcim i përgjigjes dhe shërbimeve te emergjences 5. Shëndeti dixhital

Synimet themelore mbeshteten në Strategjinë e mëparshme të Shëndetit 2016-2020 dhe analizen e zbatimit të saj. Strategjia e Shëndetit 2021-2030 i përgjigjet situatës dhe sfidave aktuale globale dhe kombëtare, si dhe paraqet nje zhvillim inovativ, sistematik dhe gjithëpërfshirës te sistemit te ardhshëm shëndetësor shqiptar.

Alba Fico, drejtore e QSUT-së u shpreh se “strategjia do ti japë rëndësinë gjithkujt të shkruajë komentet, pasi cdo opinion, sado i vogël është një vlerë e shtuar për të plotësuar strategjinë. Ky document përpos të tjerave ka më shumë për të ofruar nga mënyra sesi është ndërtuar“, tha Fico. “Por, një pjesë e rëndësishme është ai që adreson shëndetin publik, si përmasë e shëndetit të popullatës. Është bërë me shumë mend. Mbetet vetëm për tu implementuar“!

Prof. Anila Godo, ftoi të gjithë kolegët që të mos jenë idiferentë, por të japin mendimet dhe rezervat e tyre sot, pasi kjo strategji është edhe për personelin shëndetësor.

Together for life prej disa muajsh po bën përpjekje avokuese me institucionet shëndetësore, që sëmundshmëria kronike të jetë e ezauruar në dokumentin strategjik ku të jenë të parashikuara format e menaxhimit në çdo situatë të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh faktin që në situata pandemie/epidemie, të sëmurët kronikë janë kontigjenti më i rrezikuar të pësuar vdekje apo paaftësi të mëtejshme.

Fushata avokuese që bazohet në eksperiencën/ekspertizën e Together for life, në bashkëpunimin e ngushtë me grupet e interesit përfshirë ekspertët më të mirë të fushës po bëhet në kuadër të projektit “Mbro Shëndetin, Menaxho Sfidat – MSHMS”.

Ky projekt zhvillohet në kuadër te #ideAL, “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri-ideAL”, projekti i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development dhe Qendra e Politikave Evropiane ( EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re