Pas bllokimit të 6100 kolive cigaresh në 5 kontenierë në portin e Durrësit, Prokuroria e qytetit bregdetar pritet të marrë në pyetje personat, të cilët rezultojnë si pronarë dhe aksionerë të transportit të tyre.
 
Burime pranë organit të akuzës thanë se kontenierët e nisur nga Malta mbajtën datën 1 korrik dhe mbërritën në Durrës me datën 11 të po këtij muaji. Që prej asaj kohe për mallin nuk ishte interesuar asnjë subjekt dhe sipas ligjit doganor, pas 90 ditësh kontenierët duhej të hapeshin nga hetimi doganor dhe antikontrabanda.
 
Pas këtij veprimi autoritete doganore zbuluan 6100 koli ose 30,050.000 paketa cigare pa pulle te markave President super lights, President kuq e blu dhe Toros 2005. Kjo sasi cigaresh kontrabande kapte vlerën e rreth 610 mije euro, ndërsa shuma e detyrimit doganore per ketë sasi ishte 428 milion leke. Informacioni i mbërritur nga strukturat inteligjente të Britanisë treguan se kontenieret ishin dërguar nga shoqëria European Tabacco Sigara me qendër në Turqi, ndërsa pritej të tërhiqeshin nga Royall General Trading në Shqipëri. Hetuesit pritet të marrin në pyetje transportuesit, të cilët sipas autoriteteve doganore, janë kompani në pronësi të dy shtetasve të huaj dhe një shqiptari. Aksionerë të shoqërisë së transportit të mallrave me bazë në Durrës, rezultojnë të jenë Antoine Perraud, Mathaus Friedberg dhe Genc Mataj në kompaninë “Pelikan”, të cilët kanë në shfrytëzim edhe terminalin e kontenierëve në port.
 
Prokuroret ende nuk kanë arritur të bien në gjurmët e palës pritëse administrator i së cilës është një person nga Turqia me emrin Semsettin Baysal. Për këtë të vetmit persona të cilët mund të kenë informacion janë transportuesit.

 

 

 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re