Policia ka vënë në pranga dy shoferë të një autobusi, me të cilin kontrabandonin nga Greqia në Shqipëri, goma makinash.

Zbulimi është bërë pas kontrollit në pikën kufitare të Kakavijës, ku u gjetën dhe sekuestruan dhjetëra goma automjetesh.

Në pranga ka rënë dhe doganieri, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, nuk ka kontrolluar autobusin me të cilin transportoheshin mallrat.

Njoftimi i policisë:

Transportonin goma automjetesh që dyshohet se janë futur ilegalisht, nga Greqia në Shqipëri, arrestohen 2 drejtues të një autobusi.

Në pranga dhe një doganier i PKK Kakavije, nga ku dyshohet se janë futur këto mallra.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se 2 shtetas transportonin me autobus, goma automjetesh, të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vunë në pranga drejtuesit e autobusit, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe K. K., 46 vjeç, banues në Berat.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhjetëra goma automjetesh, autobusi me të cilin transportoheshin dhe 2 celularë.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u vu në pranga dhe shtetasi E. Xh., 30 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në PKK Kakavije, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, nuk ka kontrolluar autobusin me të cilin transportoheshin mallrat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re