Një 39-vjeçar turk ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se shiste flori dhe bizhuteri floriri në Shqipëri të kontrabanduara.
Uniformat blu bëjnë me dije se ka sekuestruar rreth 455 gramë flori, si dhe 35 000 euro dhe 16 200 dollarë, të përfituar nga shitja e sendeve me vlerë.
Gjithashtu është identifikuar dhe proceduar penalisht një 58-vjeçar nga Vlora, i cili shiste sendet me vlerë, për llogari të 39-vjeçarit nga Stambolli.
“Nga kontrolli në automjetin që drejtonte shtetasi turk, në rrugën “5 maji”, u gjetën 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen nga shtetasi S. B.. Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit, automjetin dhe celularin e tij”, njofton policia.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gold”.
Kontrabandonte flori dhe bizhuteri floriri, për t’i shitur në Shqipëri, arrestohet në flagrancë shtetasi turk.
Këtij shtetasi i sekuestrohen rreth 455 gramë flori, si dhe 35 000 euro dhe 16 200 dollarë, të përfituar nga shitja e sendeve me vlerë.
Gjithashtu, identifikohet dhe procedohet penalisht shtetasi që shiste sendet me vlerë, për llogari të shtetasit turk.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kontrabandimit të sendeve me vlerë, me qëllim shitjen në Shqipëri, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin “Gold”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi turk B. A., 39 vjeç, banues në Stamboll, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. B., 58 vjeç, banues në Vlorë.
Nga kontrolli në automjetin që drejtonte shtetasi turk, në rrugën “5 maji”, u gjetën 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen nga shtetasi S. B.. Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit, automjetin dhe celularin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.