Skip to content

Kontrata e Sylvinhos pas kualifikimit në Play off, ja bonusi për brazilianin

Kualifikimi i Shqipërisë për herë të dytë për në finalet e Europianit të 2024-s, për trajnerin Sylvinho, ishte hera e parë, që këtë post, provonte të arrinte në në një fazë të tillë të një turneu kaq të madh.

Megjithatë rinovimi me brazilianin për edicionin e ri, që ishin eliminatoret e Botërorit, nuk rezultuan edhe aq automatike, pra pa bisedime, ashtu si normalisht parashikojnë kontrata të tilla.

Sot, Shqipëria është shumë pranë realizimit të ëndrrës për të qenë pjesë e 48 skuadrave më të mira të Botës pjesëmarrëse në Botërorin e 2026-ës në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Sylvinho, me këtë arritje, i dha ekipit kuqezi dhe të gjithë neve mundësinë që të vazhdojmë të ëndërrojmë Botërorin, por i dha edhe vetes kredite, edhe financiare.

Kontrata e rinovuar në verën e vitit 2024 përfundon në fundin e muajit dhjetor, por objektivi i tij për të qenë ende në krye të pankinës kuqezi është kualifikimi në Botëror, jo thjeshtë vendi i dytë.

Mësohet se, Sylvinho ka përfituar një bonus për t’u paguar edhe 3 muaj të tjerë, si trajner i Shqipërisë, pra deri në muajin mars, kur më 26 dhe 30 janë dy ndeshjet e play-off-it, ato që vendosin përfundimisht fatin e Botërorit, por i sigurojnë gjithashtu brazilianit edhe një edicion tjetër automatikisht.

Në të kundërt, do të jenë negociatat me kreun e FSHF, Armand Duka, ato që do të vendosin nëse braziliani do të vazhdojë të jetë trajneri i Kombëtares apo jo.