Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, gjyqtari i Apelit të Durrësit, Tritan Hamitaj nuk arriti të justifikonte burimin e pasurive në vlerën e 14 milionë lekëve. Trupa gjyqësore u nda në vendimin nëse sjellja jobashkëpunuese përpara KPK-së duhej ndëshkuar apo jo.

Nga Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 17 shtator të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Apelit Durrës, Tritan Hamitaj kryesisht për kriterin e pasurisë. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, gjyqtari Hamitaj nuk justifikonte me burime të ligjshme blerjen e pasurive në emër të tij apo të personave të lidhur; dhënien e huave prej tij; aftësinë financiare të të tretëve për kthimin e huave; krijimin e likuiditeteve si dhe mbulimin e shpenzimeve për periudhën e rivlerësimit.

Kryesuesja e trupit gjykues Suela Zhegu dhe relatorja Genta Tafa(Bungo) vlerësojnë gjithashtu, se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, pasi sipas tyre ka ndryshuar deklarimet, ka kryer deklarim të rremë dhe ka mbajtur qëndrim jobashkëpunues. Ky konkluzion dhe disa prej konstatimeve të shumicës vlerësohen ndryshe nga anëtari i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj në arsyetimin e tij.

Komisioni ngriti dyshime për marrëdhënie fiktive në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103.82 m2 në Tiranë në vitin 2014 nga bashkëshortja e gjyqtarit Hamitaj dhe motra e saj. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në vitin 2016, bashkëshortja e Hamitajt ka shkëmbyer një apartament me sipërfaqe 78.58 m2 në Durrës, me pjesën takuese të motrës në apartamentin 103.82 m2 në Tiranë.

Bashkëshortja e Hamitajt e ka përfituar apartamentin e shkëmbyer në vitin 2007 me kontratë dhurimi të dy pjesëve takuese nga motrat e saj, ku edhe ajo vetë kishte përfituar 1/3 si trashëgimi nga nëna e tyre. Hamitaj ka shpjeguar se nuk bëhej fjalë për dhurim, por për një marrëveshje përpjesëtimi pasurie. Sipas tij, apartamenti me sipërfaqe 78.58 m2 ishte në bashkëpronësi të bashkëshortes së tij, motrës dhe nënës së saj. Hamitaj ka pretenduar se vlera 6 milionë lekë që bashkëshortja kishte kaluar për llogari të motrës M.G. kundrejt pjesëve takuese, i përkiste familjes.

Trupi gjykues konstaton, se sipas deklarimeve të vetë Hamitajt, ky apartament është shfrytëzuar vetëm nga familja e tij – ndërkohë që kontrata e shkëmbimit mes bashkëshortes dhe motrës së saj është kryer pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.

“…Ngrihen dyshime të arsyeshme për marrëdhënien e krijuar midis motrës së bashkëshortes së subjektit dhe familjes së tij për blerjen e këtij apartamenti me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme të subjektit,” thuhet në vendim.

Gjithashtu, Komisioni konstatoi se në të njëjtën ditë që bashkëshortja e tij e ka blerë apartamentin bashkë me motrën, subjekti e ka dhënë atë me qira pa qenë bashkëpronar. Komisioni ngre dyshime se edhe kjo kontratë ka qenë fiktive me qëllim justifikimin e të ardhurave.

Nga analiza financiare ka rezultuar se Hamitaj dhe kunata e tij nuk kanë pasur burime për blerjen e kësaj pasurie. Në vendim thuhet se subjekti ka deklaruar versione të ndryshme lidhur me vlerën që ka paguar në vitin 2011 për apartamentin 51 m2, ku në një rast ka shënuar se pagesa është kryer në cash, kurse më vonë ka shpjeguar se shoqëria ndërtuese i kishte një borxh që ishte konvertuar në apartament.

Nga verifikimet e kryera prej KPK-së ka rezultuar se në vitin 2010 shoqëria nuk rezulton që te këtë marrë hua dhe se në 2014-ën nuk ka pasur mundësi të shlyejë shumën 51 mijë euro.

Heqja e një vlere prej 51 mijë eurosh në analizën financiare, ka sjellë pamundësi të gjyqtarit Hamitaj për blerjen e një apartamenti tjetër 1+1 me sipërfaqe 78.24 m2 në Durrës në vitin 2014 kundrejt shumës 48 mijë euro, kur ai ka rezultuar me balancë negative prej 6.6 milionë lekësh.

Komisioni ngre dyshime për veprime fiktive edhe në blerjen një garazhi me sipërfaqe 48 m2, me dy vende parkimi, kundrejt vlerës 24 mijë euro në vitin 2011. Si burime të krijimit të kësaj pasurie, Hamitaj ka deklaruar se ka shërbyer një shumë që i është kthyer nga një shoqëri, të cilës ia kishte dhënë hua më parë.

Sipas trupit gjykues, Hamitaj nuk ka arritur të provojë aftësinë financiare të kësaj shoqërie për kthimin e vlerës së pretenduar. Për shkak se kjo marrëdhënie nuk është pasqyruar në deklaratën veting, por vetëm pas kalimit të barrës së provës, KPK ka ngritur dyshime se dokumentet për kthimin e huasë janë hartuar gjatë procesit të rivlerësimit me qëllim justifikimin e të ardhurave për blerjen e garazhit.

Gjithashtu, KPK dyshon për fiktivitet në nënshkrimin e disa kontratave të disa huave që Hamitaj pretendon se ia ka dhënë një shoqërie, prej nga deklaron se ka përfituar interes në vlerën 2 milionë e 211 mijë lekë për vitet 2006-2010. Nga hetimi ka rezultuar se Hamitaj nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huave shoqërisë në fjalë.

Për deklarimin e përfitimit të një apartamenti me sipërfaqe totale 252 m2 në Durrës prej një kontrate premtim-shitje në vitin 2015, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka paguar vetëm shumën 24 mijë e 400 euro nga vlera totale prej 88 mijë e 200 euro, pavarësisht se e përdor këtë pasuri prej pesë vitesh. Komisioni e cilëson të dyshimtë çmimin e blerjes dhe evidenton faktin se dy ambjentet kanë qenë në projektin fillestar si njësi shërbimi dhe gjenden në katin e parë të pallatit.

KPK ngre dyshime që subjekti mund të ketë paguar vlerën e plotë të këtyre njësive dhe i ka kaluar Hamitajt barrën e provës. Ky i fundit i ka kundërshtuar dyshimet e KPK për parashikim kontraktor fiktiv, duke shpjeguar se lënia e shumës prej 63 mijë e 800 euro për t’u paguar në momentin e regjistrimit të pallatit në ASHK, ka ndodhur për shkak se shoqëria ndërtuese ka imazh negativ në regjistrimin e pallateve të ndërtuar prej saj.

Gjithashtu, në vendim identifikohen dyshime se gjyqtari Hamitaj ka fshehur AMTP-në origjinale të lëshuar në emër të gjyshit të tij z. H. H. për tokën me sipërfaqe 25 mijë e 760 m2 e përfituar në fshatin Hekal të Mallakastrës nga ligji nr.7501, me qëllim justifikimin e pronësisë së kësaj pasurie në emër të familjarëve të tij, duke përjashtuar trashëgimtarët e tjerë.

Nga hetimi ka rezultuar se në deklaratën veting, Hamitaj nuk ka pasqyruar se AMTP-ja ishte lëshuar në emër të gjyshit H.H. dhe se ishte e ndryshme nga ajo e depozituar në vitin 2015 në ILDKPKI. Nga hetimi ka rezultuar se Hamitaj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting faktin se babai ka blerë një apartament me sipërfaqe 146.3 m2 në Durrës, posaçërisht për nevojat subjektit të rivlerësimit. Apartamenti është blerë në vitin 2016 prej të atit, për vlerën 73 mijë e 150 euro, nga të cilat 7 mijë euro janë likujduar në fillim.

“…Subjekti i rivlerësimit gjatë hetimit administrativ, edhe pse është pyetur nga Komisioni në lidhje me këtë apartament, ka fshehur faktin se i ka dhënë hua babait të tij shumën 40.940 euro për shlyerjen e plotë të pagesës së këtij apartamenti,” argumenton Komisioni. Sipas tyre, kjo banesë nuk është përdorur asnjëherë nga babai i subjektit dhe se gjendet në të njëjtin kat dhe lidhet me një tjetër apartament në pronësi të Hamitajt.

Në përfundim, nga analiza financiare për të gjithë periudhën e rivlerësimit, Komisioni ka konkluduar fillimisht një balancë negative në vlerën totale 19 milionë e 250 mijë lekë. Pas kalimit të barrës së provës dhe analizimit të shjegimeve e provave të reja të dorëzuara nga Hamitaj, balanca negative ka mbetur sërish në vlerë të madhe, në shumën totale 14 milionë e 836 mijë lekë.

Penalizim për qëndrimin

Në vendim theksohet se gjyqtari Tritan Hamitaj nuk ka qenë bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit. Ky qëndrim argumentohet me kërkesat e tij të shumta- që sipas KPK-së kanë pasur si qëllim zvarritjen e procesit të vetingut.

Komisioni shprehet gjithashtu se gjyqtari Tritan Hamitaj nuk është përgjigjur gjithmonë në kohë, si dhe përgjigjet e tij nuk kanë qenë të plota e sqaruese.

Në vendim thuhet se kjo sjellje e subjektit e ka vështirësuar punën e organeve në kryerjen e procesit të rivlerësimit.

“Kundërshtitë në deklarimet e subjektit gjatë procesit, duket se kanë qenë një mënyrë sjelljeje e qëllimtë, e cila ka synuar të manipulojë të vërtetën, në kundërshtim me detyrimin ligjor që kanë subjektet për të qenë të vërtetë e të saktë përgjatë këtij procesi,” konstaton KPK.

Për paraqitjen e kërkesave të përsëritura nga Hamitaj, Komisioni konstaton se kanë pasur për qëllim zvarritjen e procesit nga ana e tij. KPK çmon se kjo sjellje cenon besimin e publikut te funksionari që e kryen atë.

Anëtari i KPK-së, Lulzim Hamitaj ka dalë me mendim paralel mbi gjetjen nëse Hamitaj mund të shkarkohej ose jo për cenim të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu, ai argumenton edhe mbi peshën dhe pasojat e deklarimeve kontradiktore lidhur me cilësimin e deklarimit të rremë apo me cënimin e besimit të publikut.

Hamitaj shprehet se çdo përgjigje e subjektit që ka rezultuar si e pasaktë, e paplotë, kontradiktore apo e pambështetur në prova, i ka passjellë efektet përkatëse lidhur me problematikat e mundëshme të deklarimeve dhe me mjaftueshmërinë ose jo të burimeve financiare të ligjshme.

Ai konsideron se do të rezultonte një mbivendosje penalizimi, përdorimi i rrethanave që kanë sjellë shkarkimin si pasojë e deklarimit të pamjaftueshëm, edhe në aplikimin e masës tjetër për cënimin të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Hamitaj ndalet në vijim në konkluzionin e shumicës për moskonsiderimin në analizën financiare të të ardhurave të deklaruara prej subjektit të rivlerësimit, si të përfituara nga shfrytëzimi i tokës bujqësore.

“…Mendimi ndryshe konsiston në faktin se vlerësohet se nuk mund të përjashtohet përllogaritja e disa të ardhurave të pretenduara, thjesht për mungesë të paraqitjes së provave…”, shprehet Hamitaj dhe arsyeton se duke konsideruar vështirësitë teknike, si pasojë e mosmbajtjes së një kontabiliteti të mirëfilltë dhe kohës së gjatë, duhet që të pranohet qoftë edhe pjesërisht, akti ekspertimit kontabël mbi të ardhurat e mundshme nga aktiviteti bujqësor.

Lidhur me konstatimet e shumicës se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të deformojë apo të fshehë të vërtetën duke ndryshuar pohimet e tij në prapësime, Hamitaj në pakicë vlerëson se në këto raste nuk përmbushen kriteret e cilësimit të një deklarimi si i rremë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re