Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 115-vjetorin e ndarjes tragjike nga jeta të patriotit të shquar Papa Kristo Negovani.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit tha se, Papa Kristo Negovani, do të nderohet përjetë për kontributin e çmuar që dha për çështjen shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, deri edhe me sakrificë sublime.

“Sot, përkujtojmë me nderim 115-vjetorin e ndarjes tragjike nga jeta të një prej figurave më të shquara patriotike të kombit dhe klerit shqiptar, Papa Kristo Negovani.
I martirizuar për aktivitetin e Tij të jashtëzakonshëm iluminist në mbrojtjen, promovimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, si dhe të vlerave tona më të mira kombëtare, Papa Kristo Negovani, do të nderohet përjetë për kontributin e çmuar që dha për çështjen shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, deri edhe me sakrificë sublime. ”, shkruan Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re