Njësia e inspektimit shëndetësor, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka rritur gjendjen e gatishmërisë lidhur me situatën e koronavirusit.

“E vetmja risi në këtë situatë rutinë të punës sonë është një monitorim i shtuar i pasagjerëve që vijnë nga Kina. Janë shtuar masat higjieno sanitare në aeroportin e Rinasit, të cilat konsistojnë në rritjen e shpeshtësisë së numrit të pastrimeve të ambientit të aeroportit, shtimin se sasisë së dizifektantëve që hidhen për pastrimin e dyshemesë si dhe është kërkuar një dizifektim, që e quajmë procedurë 3D, për të bërë dizifektimin e terminalit dhe ambienteve kargo”, shprehet mjeku Hashorva.

Sipas mjekut Hashorva, janë aktivizuar protokollet përkatëse, lidhur me koronavirusin, megjithatë për Shqipërinë, rreziku është i ulët.

Edhe në fazën akute, fazën që po flasim tani, dua të ritheksoj faktin që Shqipëria është një vend me risk të vogël përsa i përket koronavirusit, për dy arsye kryesore; një, nuk kemi linjë direkte me Kinën, dhe aq me tepër me regjionin ku ka shpërthyer epidemia, dhe e dyta, që të gjitha fluturimet që na vijnë nga Kina, vijnë tranzit nëpërmjet vendeve të tjera.

Aeroportet e qyteteve europiane, të cilat kanë linja direkte fluturimi më Kinën dhe provincën Wuhan, po ushtrojnë monitorime të shumta ta pasagjerëve, e madje duke krijuar edhe dhoma specifike për kontrollin e tyre./TCH/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re