Të gjitha pronat e ushtrisë që aktualisht nuk janë vend-dislokime ushtarake do t’i nënshtrohen kontrollit. Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë vizitës në Bazën Ajrore të Farkës, tha se verifikimi do të behet për të parë nëse në to kryhet veprimtari e paligjshme.
 
“Ministria e Mbrojtjes ka nisur një kontroll të imtësishëm nëpër të gjitha ish-pronat të cilat ka nën administrim. Çdo repart e komandë është ngarkuar që me të gjitha burimet njerëzore në dispozicion, të evidentojë saktësisht statusin aktual pikërisht të atyre pronave që aktualisht nuk janë vend-dislokime ushtarake. Ky kontroll po ndërmerret edhe një herë në zbatim të Vendimit 248 të Këshillit të Ministrave datë 29 Mars 2017, për parandalimin e mundësive për ushtrim aktivitetesh të paligjshme nëpër këto prona. Ky kontroll zhvillohet gjatë kësaj jave dhe do të përfshijë përmes një plani të saktë çdo pronë ish-ushtarake kudo që të jetë ajo.”
 
Xhaçka tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme do të nisë inspektimi i të gjithë hapësirës detare, përmes sistemit radar ajror.
 
“Përmes kësaj rritje në buxhet kemi siguruar fondet e nevojshme për blerjen e sistemit radar ajror, investimi i parë për ruajtjen e qiejve shqiptarë në demokraci. Së bashku me Ministrin e Brendshëm, kolegun Fatmir Xhafaj kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar në detaje situatën aktuale me vëzhgimin e hapësirës detare. Do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit”.
 
Ministrja e Mbrojtjes u ndal edhe tek modernizimi i Forcave te Armatosura, duke theksuar se qeveria ka vendosur në dispozicion katërqind milionë lekë për këtë qëllim.
 
 
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re