Fill pas seancës së parlamentit ku u vendos kundër arrestimit të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri mbërriti në shtëpinë e tij, por jo se priste kontrollin e Prokurorisë, por vetëm për disa minuta për të takuar familjarët.
 
Në dalje pa kostumin parlamentar ai nuk pranoi të komentonte votimin, i cili i dha dritë jeshile Prokurorisë për kontroll banese dhe ndalimin qe deputeti te dale jashtë kufijve te Shqipërisë.
 
Sipas procedurës pas finalizimit të fazës parlamentare organi qendror i hetimit duhet t’i drejtohet Gjykatës së Krimeve të Rënda për marrjen e autorizimit për kontroll banese, por edhe atë personal. Diçka e tillë përjashtohet vetëm në kushtet e flagrancës, sipas nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale.
 
“Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose banesës.”
 
Kontrolle sipas ligjit mund të bëhen dhe në të dhënat kompjuterike për të cilat gjykata merr vendim që të mos ndryshohen, ndërsa vendimi duhet të përcaktojë llojin e informacionit që kërkohet dhe mënyrën e marrjes së tij.
 
Për të gjitha rastet këto procedura duhet të përfundojnë brenda 72 orëve nga momenti i marrjes së vendimit për kryerjen e kontrolleve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re