Vijon monitorimi i qarkullimit në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë – Durrës – Tiranë dhe Tiranë – Elbasan – Tiranë, me makinën inteligjente, ka njoftuar Policia e Shtetit mbrëmjen e sotme.

Sipas burimeve blu, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës vijojnë me makinën inteligjente dhe me radarët TrueCam duke evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, pa vendosur rripin e sigurimit, që kryejnë parakalime të gabuara apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Kontrollet me radarë, dronë, kamera e makina të paloguara vijojnë dhe në akset nacionale e qendrat e banura në të gjithë vendin.

Gjatë 24 orëve të fundit në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë – Durrës – Tiranë – Elbasan -Tiranë, me intervale kohore të shkurtra në shumë pika dhe njolla të zeza ku kanë ndodhur më parë aksidente rrugore, makina inteligjente ka konstatuar 523 shkelje për shpejtësi.

Gjatë monitorimit në rrugët e brendshme të kryeqytetit, janë evidentuar 48 raste me shpejtësi nga 75 deri në 96 km/h, ku drejtuesit e mjeteve krahas masës administrative, do penalizohen edhe me pezullimit të lejes së drejtimit.

Gjithashtu po gjatë verifikimit rezultoi se krahas shpejtësisë, një numër i madh i drejtuesve të mjeteve kishin bërë dhe një shkelje të dytë, konkretisht:

206 ishin edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 74 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 68 për parakalime të gabuara.

Ndërkohë si rezultat i kontrolleve intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë vendosur 1089 masa administrative për shkelje që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Nga monitorimi me radarë dhe alkooltestues janë pezullur edhe 43 leje dretimi për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re