Me urdhër të Gjykatës së Posaçme, janë kryer kontrolle ndaj gjashtë shtetasve dhe nëntë automjeteve të tyre në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar para, telefona, dokumente dhe lista me emra qytetarësh. Policia njoftoi se hetimet po vijojnë.
Në reagim ndaj lajmit, Partia Social-Demokrate e mohoi kategorikisht përfshirjen e anëtarëve të saj në veprimtari të paligjshme zgjedhore, duke e cilësuar informacionin si dizinformim dashakeq dhe sulm politik.
Sipas PSD-së, vetëm një kontroll është kryer në banesën e kryetarit të saj në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa, ku nuk është gjetur asgjë e paligjshme. PSD shprehu mbështetje të plotë për hetimet nga SPAK dhe GJKKO.
Deklaratë për shtyp e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë:
Lidhur me disa lajme të bëra publike dhe të shpërndara në media të ndryshme, për përfshirjen në veprimtari të paligjshme zgjedhore të disa anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD-së në veri të vendit, Partia Socialdemokrate përgënjeshtron çdo lajm të tillë. Është një dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës.
Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme.
Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor. Për më tepër, PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore.
PSD-ja nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me askend tjetër të cilëve u janë kryer kontrolle në zyrat apo banesat e tyre. Në vijim, kushdo që përfshihet në të tilla krime zgjedhore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe PSD-ja do të distancohet menjëherë.
Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-u, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese.
Bashkëlidhur gjeni procesverbalin e lëshuar nga SPAK-u.