Ish kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që të gjendet përgjegjësit e vdekjes së një personi në kampin e Manzës, ndërsa nuk ka kursyer akuzat ndaj Policisë së Shtetit dhe operacionit të saj ndaj muxhahedinëve.

 

“Mediat, përveç viktimës, informojnë për gjymtyrë të thyera, të cilat nuk mund të ndodhin kurrë me spraj, për koka të çara, për plagosje të rënda. Pra, një brutalitet dhe një dhunë e egër, e dënueshme, e papranueshme”, shprehet ai.

 

Berisha thekson se në bazë të marrëveshjes, muxhahedinët kanë ardhur në Shqipëri me një status të caktuar refugjati, ndaj sipas tij duhet të nis hetim nga OKB për dhunën e ushtruar ndaj tyre.

 

“Të gjitha këto kërkojnë një hetim. Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit. Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka. Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, policia mohon në mënyrë kategorike të ketë ushtruar dhunë ndaj muxhahedinëve. Viktimës po i kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re