Ministria e Brendshme ka mohuar të ketë viktima dhe të plagosur gjatë operacionit të policisë në kampin e MEK në Manzë.

 

Në një njoftim zyrtar theksohet se çdo pretendim për të lënduar nga muxhahedinët do të verifikohet, ndonëse deri në këto momente nuk ka informacion për të tillë.

 

“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”, thuhet në njoftim.

 

Ministria e Brendshme e konsideron si legjitim aksionin policor me urdhër të Gjykatës së Posaçme, ndërsa thekson se MEK ka thyer marrëveshjen me anë së të cilës janë vendosur në Shqipëri.

 

“Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

 

Policia me urdhër të SPAK nisi mëngjesin e kësaj të marte kontrollin në ambientet e brendshme të kampit të MEK në Manzë, vendim i cili u kundërshtuar nga anëtarët e këtij grupimi. Këta të fundit pretendojnë se është vrarë një prej tyre dhe disa të tjerë janë plagosur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re