Gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare, anëtarësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim do ti nënshtrohet një tjetër votimi. Të shtunën, anëtarët e kësaj force politike do ti drejtohen kutive të votimit për të përzgjedhur delegatët e Konventës kombëtare. Nënkryetarja Erisa Xhixho tregon detajet e këtij procesi të rëndësishëm për LSI.

“Ne kemi zhvilluar gjithë anën organizative të partisë, pra këto zgjedhje do shënojnë edhe një kulm të gjithë punës së bërë këto muaj në të gjitha strukturat bazë në mënyrë që të hapnim dyert për LSI, në mënyrë që ata që kanë ardhur në LSI të kenë mundësi për të zgjedhur. Të shtunën do të kemi zgjedhjet, në të gjitha degët tona, një proces votimi që na përgatit për zgjedhjet e 25 prillit. Mbahen nga ora 9 deri në 16:00”, thotë Xhixho për Report Tv.

Janë cilësuar si forca politike më kryeneçe, por diktuar nga rregullat e pandemisë, LSI do të ndjekë krahas votimit fizik, edhe rrugën e votimit elektronik.

“Të gjithë anëtarët do të duhet të shkarkojnë aplikacionin ‘Join LSI, atyre do tu shkojë një kod, dhe mund të aksesojnë direkt me numrin e kartës së anëtarësisë në LSI. Aty do të kenë të gjitha hapat për të votuar për kandidatët, për kryetaren dhe pasi të votojnë nuk do të kenë më mundësi të aksesojnë aplikacionin”, sqaron nënkryetarja e LSI.

Qartësinë e vendimeve që forca politike ku është pjesë, do të marrë për zgjedhjet e 25 prillit, Xhixho e premton pas 5 dhjetorit, kur edhe do të mbahet Konventa Kombëtare

“Konventa e 5 Dhjetorit do të ketë një rëndësi shumë të madhe për mesazhet politike që do të përcjellë, për platformën politike që do të lancojmë dhe për ekipin që do të drejtojë të gjithë fushatën deri më 25 prill.”, thotë Erisa Xhixho.

Të rinjtë janë fokusi i kësaj force politike, por Xhixho nuk kursen as thirrjen ndaj themeluesve të LSI për tu bërë pjesë e proceseve që i paraprijnë vendimeve për zgjedhjet e 25 prillit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re