Korça është qyteti i dytë drejt të cilit shqiptarët kanë udhëtuar brenda vendit në vitin 2018. Të paktën 12.2 për qind e udhëtimeve janë kryer per ne qytetin juglindor. Tendenca drejt Korçës është vënë re viteve të fundit pas një sërë investimesh të kryera në qytet të tilla si zonat BID dhe TID, pjesa e Pazarit të Vjetër apo Pedonalja me një frekuentim të lartë jo vetëm të korçarëve.

E për ta vijuar këtë Korça, nuk është më vetëm qyteti i serenatave, teksa është vështirë të sigurosh një hotel në periudha të tilla si Festa e Birrës që zë vend në muajin gusht, festa e Lakrorit. Festat e Nëntorit gjithashtu pësojnë një dyndje drejt Korçës teksa qershia mbi tortë janë Krishtlindjet ku sërish frekuentimi tradicionalisht ka mbetur i lartë. Kjo ka bere qe dhe investimet ne struktura akomoduese viteve te fundit te jene me te medha.

Anketa e Insitutit të Statistikave Turizmi “Pushime dhe Udhëtime” tregon Tirana, kryeqyteti i vendit mban 27.1 për qind kurse i treti në listë është qyteti i Vlorës me 11.1 për qind të udhëtimeve. Qëllimet e udhëtimeve janë përkufizuar si personale apo biznesi dhe në këtë kontekst i katërti në listë është qyteti bregdetar i Durrësit. Me radhë sipas të dhënave zyrtare qytetet e tjera me përqindjet respektive të udhëtimeve janë Elbasani me 4.2 për qind, Fieri me 3.3 për qind, Lezha me 3.1 për qind, Shkodra me 2.9 për qind, Gjirokastra me 2.4 për qind. Të fundit në listë mbeten Berati me 2.1 për qind dhe Dibra ku vetëm 1.2 për qind e të anketuarve kanë udhëtuar drejt këtij qyteti në vitin 2018.

Lidhur me udhëtimet jashtë Shqipërisë kryesojnë ato drejt Italisë dhe Greqisë çka është e shpjegueshme për aq kohë sa një pjesë e mirë e emigrantëve janë të vendosur në dy vendet fqinjë dhe vizitat nga të afërmit nuk mungojnë./ monitor.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re