Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit në vend ka shtuar fluksin e vizitorëve në Voskopojë. Klima e freskët e fshatit që rrethohet nga gjelbërimi i përhershëm i pyjeve, qetësia dhe mikpritja e banorëve,e kanë kthyer Voskopojën në një prej destinacioneve më të frekuentuara të turizmit malor.

Por nuk janë të paktë ata vizitorë që ditët e qëndrimit në Voskopojë i shfrytëzojne për të vizituar kishat e vjetra bizantine. Të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit por edhe nga zonat bregdetare, vizitorët gjejnë në Voskopojë një oaz relaksi, ku mund të pushosh me javë të tëra.

Vizitorët nga Tirana mbeten besnikë të pushimeve të gjata në Voskopojë. Të tjerë e zgjedhin atë për trashëgiminë e rrallë kulturore dhe historike. Operatorët turistikë presin sezon të mbarë veror dhe shtim të fluksit të vizitorëve vendas dhe të huaj, një pjesë e të cilëve kanë mbyllur rezervimet më herët.

Vit pas viti në Voskopojë janë shtuar strukturat akomoduese të hotelerisë dhe shërbimeve të tjera, të cilat kanë pikë të fortë çmimet e përballueshme dhe të pandryshuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re