Kështu do të duket stadiumi i ri i Korçës. Kompania daneze Cebra ka fituar konkursin ndërkombëtar për stadiumin e ri të futbollit. Sipas projektit “Korça Arena” pritet të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe i shtohet impianteve të tjerë modernë të ndërtuar vitet e fundit në Shqipëri.

Më parë, gjatë prezantimit të tre studiove finaliste, kryeministri Edi Rama nënvizoi bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, që sipas tij, po ndërton infrastruktura sportive më moderne në rajon. Ai uroj presidentin Armand Duka për rizgjedhjen në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

“Kjo është një nga tre finalet e këtyre ditëve për të pasur tre stadiume të reja të gjeneratës së stadiumit tonë kombëtar. Sinergjia mes qeverisë dhe FSHF-së është baza, themeli, shtysa kryesore për të arritur të kemi një Shqipëri me një fytyrë krejt tjetër edhe në këtë fushë ku kemi sot me këto 3 stadiume të reja infrastrukturën më moderne dhe të kompletuar nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike brenda vendit, dhe në rajon. Me këtë rast dua t’i uroj edhe presidentit të Federatës edhe zgjedhjen në Komitetin Drejtues të UEFA-s. Është një nder shumë i madh për Shqipërinë.”, tha Rama.

Nga ana tjetër, presidenti i FSHF i bëri një thirrje kryeministrit Rama për të vijuar më tej me bashkëpunimin ndërsa ai kujtoi edhe njëherë ligjin e ri të sponsorizimit.

“Nuk do të jetë një peshë e përhershme në buxhetin e shtetit, jo një shpenzim i pakthyeshëm, por përkundrazi një investim shumë i suksesshëm”, tha Duka. Pas stadiumit të Korçës, shumë shpejt do të prezantohen edhe projektet edhe për dy impiante të tjerë që do të ndërtohen në Vlorë dhe Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re