Qarku i Korçës vijon të mos ketë asnjë rast të konfirmuar COVID-19 prej 11 ditësh tashmë.

Burime nga njësitë e kujdesit shëndetësor në të gjithë qarkun bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar në asnjë prej bashkive të juglindjes dhe për pasojë nuk është dërguar asnjë tampon për analiza.

Të 19 rastet e konfirmuara me koronavirus janë në qytetin e Korçës dhe 18 prej tyre janë të shëruar tashmë.

Vetëm një paciente aktive e infektuar ndodhet në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, aty ku burime të siguruara thanë se është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Mungesa e rasteve të reja ka kthyer normalitetin në të gjithë qarkun, ku jo vetëm Pogradeci që është shpallur bashki e gjelbër, por edhe të gjitha bashkitë e tjera duket se kanë rinisur jetën normale.

Kjo sa i takon qarkullimit të mjeteve dhe qytetarëve të cilët prej disa ditësh shihen të shumtë në rrugë e bulevarde.

Por shpeshherë qytetarët duke harruar rrezikun e virusit qëndrojnë të grumbulluar në rrugë e bulevarde.

Ndërsa brenda blloqeve të pallateve situata është edhe më e vështirë, pasi qytetarët qëndrojnë duke biseduar me orë të tëra me fqinjët e tyre, çka e shton rrezikun e përhapjes së koronavirusit, në rast se mund të ketë qytetarë të infektuar asimptomatikë.

Maskat dhe dorezat vijojnë të mos përdoren gjithnjë e më shumë nga korçarët, përveç atyre që punojnë në njësitë e shërbimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re