Kryeprokurori Olsian Çela i ka hequr vërejtje drejtuesve të Prokurorive të Rrethit të Korçës lidhur me hetimin e krimit financiar. Gjatë një takimi të mbajtur sot në këtë kryeqytet, Çela tha se raportet e fundit kanë dalë në përfundimin se numri i veprave penale që lidhen me krimin financiar të hetuara në këtë qark, ka qenë mjaft i ulët. Ai tha se duhet shfrytëzuar çdo burim informacioni që lidhet me asetet kriminale, duke theksuar se nuk duhen neglizhuar lajmet e mediave.

“Është i rëndësishëm krijimi i seksioneve që do hetojnë krimin financiar. Numri i veprave penale që hetohen dhe lidhen me krimin financiar është i ulët në Korçë. Kjo imponon një qasje proaktive. Duhet të shfrytëzohet çdo informacion që lidhet me asetet kriminale. Nuk duhet neglizhuar informacioni i medias. Nuk mund të keni një rol pasiv dhe vetëm kështu mund të keni një rol cilësor”, tha Çela.

Ai theksoi se rëndësinë e pavarësisë së prokurorëve për të vepruar pa ndikimin e drejtuesve. Olsian Çela deklaroi se kjo është thelbësore për të garantuar sundimin e ligjit dhe për të fituar besimin e qytetarëve. Kryeprokurori u shpreh gjithashtu se gjatë këtyre muajve është monitoruar puna e drejtuesve të prokurorive në rreth që do të depozitohen pranë KLP.

“Dua të trajtoj edhe dy tre probleme të tjera. Në korrik është miratuar udhëzimi me drejtuesit. Ky udhëzim garanton atë që ligji ia ka dhënë prokurorëve, pavarësinë në vendimmarrje. Ne i kemi dhënë mundësinë çdo prokurori të mbrojë me fanatizëm pavarësinë e tij. Prokuroria e Korçës në këtë drejtim ka qenë model. Janë zbatuar rregullimet ligjore për këto marrëdhënie që janë mjaft delikate dhe kërkojnë vëmendje. Regjistri i brendshëm i cili krijohet në bazë të këtij udhëzimi është thelbësor. Ju duhet të garantoni sundimin e ligjit.

Duhet të ruani pavarësinë ndaj ndërhyrjes ndaj çdo faktori të jashtëm në punën tuaj. Nëse do përmbushni detyrën tuaj me besnikëri ndaj ligjit, garancitë do të rrisin rezultatet dhe atë që na mungon, besimin e publikut. Nëse ne do arrijmë ta bëjmë këtë, puna juaj do vlerësohet maskimalisht. Reforma nuk përfundoi me krijimin e SPAK dhe as me zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Është i rëndësishëm zgjedhja e drejtuesve nga KLP. Do nisë faza e çeljes së vendeve vakante në prokuroritë e rretheve gjyqësore. Prokuroria e Përgjithshme nuk do të rrijë indiferente ndaj këtij procesi. Ne mendojmë se ky proces duhet të bazohet në merita profesionale. Gjatë këtyre muajve kemi monitoruar me kujdes punën e çdo drejtuesi në rrethe dhe do i dërgojmë KLP të dhëna për çdo drejtues. Nëse ne do dështojmë në përzgjedhjen e drejtueseve kjo do të ishte dështim dhe pengesë në realizimin e objektivave që kemi”, u shpreh Olsian Çela

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re