Skip to content

Korçë, presidenti Meta vlerëson sportistët e klubit “Skënderbeu”

ILIR META 2

ILIR META 2

Në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, figura të shquara të klubit “Skënderbeu” në futboll e disiplina të tjera, njëherazi personalitete të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: atleten e shquar dhe kampionen e Europës, Pavlina Evro, futbollistin Teodor Vaso, atletin dhe trajnerin e paharruar Piro Kasati (pas vdekjes) dhe mbrojtësin Koço Dinella.

 

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës çmoi (pas vdekjes) basketbollistet Zamira Koleci, e Tamara Nikolla dhe futbollistin Dhimitër Xhambazi.

 

Në fjalën e tij Presidenti Meta u shpreh: “Është kënaqësi e rrallë të jem në këtë qytet, në Korçën e dashurisë e të arsimit, por është edhe vështirë për të qenë sontë në Korçën e sportit sepse do të na duheshin ditë e netë të tëra për të bërë nderimin e duhur të të gjithë atyre sportistëve të ‘Skënderbeut’ që kanë nderuar Korçën dhe mbarë Shqipërinë. Është vërtetë një detyrim, që në këtë Vit Mbarëkombëtar në nder të Heroit tonë Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, të nderojmë disa nga figurat e shquara të këtij qyteti, të klubit që mban emrin e Skënderbeut me shumë dinjitet për shkak të arritjeve dhe kontributeve të dhëna në rritjen e identitetit dhe imazhit tonë kombëtar.”

 

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm deputetë të qarkut Korçë, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, autoritete vendore, figura dhe personalitete të sportit e të kulturës, si dhe kryetarja e Bashkisë së Bitolës (Manastirit) Natasha Petrovska, Ambasadori i Maqedonisë Dancho Markovski dhe shumë qytetarë.

3b325e34 59d1 4d76 9ff7 2e9ad1d7e440 ddf9f732 2869 4c77 84f8 bb7a47ad4cdf 0c7ef95f edc5 4f55 ad9a 7f1b88682e20 d1619bb3 91db 43b7 b3c4 3bf115a63ca8