Një pjesë e studentëve të Universitetit “Fan Noli” të Korçës janë mbledhur këtë të mërkurë në një kuvend të hapur së bashku me disa pedagogë për të diskutuar lidhur me kërkesat që i kanë parashtruar rektoratit në një takim të zhvilluar gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.

 

Në faqen zyrtare të Këshillit Studentor në facebook, studentët shkruajnë se falë këmbënguljes së tyre, rektorati pranoi përmbushjen e 16 pikave të cilat kishin lidhje me përmiresimin e infrastruktures dhe kushteve në auditore në secilen prej godinave të 4 fakulteteve të Universitetit.

 

Sipas studentëve, tashmë puna ka filluar për të patur ngrohje më të mirë, infrastrukturë të rinovuar, akses në internet, shërbime efikase dhe rritje të cilesisë në mësimdhenie e literaturat e ofruara.

 

Ndërkohë edhe kryetarja e Këshillit Studentor Esmeralda Sejdolli tha ne kuvendin e organizuar këtë të mërkurë, se Senati Akademik ka aprovuar tashmë kërkesat e studentëve të cilat pritet të realizohen hap pas hapi.

 

Studentët thanë se do të vijojnë çdo ditë me takime të tilla derisa të gjitha shqetësimet e kërkesat e tyre të marrin rrugën e zgjidhjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re