Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) njoftoi të mërkurën se ka zgjedhur koreanojugorin Kim Jong Yang si president të saj të ri.

Përmes llogarisë së tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”, Interpol-i tha se Kim, i cili ka shërbyer si president në detyrë, u zgjodh në krye të organit ndërkombëtar të policisë për një mandat dyvjeçar.

Votimi u bë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it në Dubai, ku oficeri koreanojugor fitoi 2/3 e votave përballë kandidatit të Moskës, Alexander Prokopchuk, aktualisht ndihmëspresident i Organizatës dhe njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ishin kundër zgjedhjes së zv/ministrit të Brendshëm rus në postin më të lartë të Interpol-it, me justifikimin se Moska mund të abuzonte statusin e “buletinit të kuq” për të shuar zërat opozitarë jashtë shtetit.

Kim zëvendëson kështu ish-kreun kinez të Interpol-t, Meng Hongwei, i cili dha dorëheqjen në shtator pasi u arrestua në vendin e tij me akuzën për korrupsion.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re