Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me më shumë se një milion predha artilerie për operacionet e saj ushtarake në Ukrainë dhe, në këmbim, Pheniani ka marrë këshilla teknike për satelitët e saj. Kështu pohoi një ligjvënës koreano-jugor, duke cituar shërbimet e inteligjencës së Seulit.

Pheniani dhe Moska, dy aleatë historikë, janë subjekt i një sërë sanksionesh ndërkombëtare, Rusia për sulmin e saj ndaj Ukrainës dhe Koreja e Veriut për testet e saj të armëve bërthamore.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidenti rus, Vladimir Putin u takuan në shtator në Lindjen e Largët Ruse dhe Uashingtoni tha muajin e kaluar se Pheniani kishte filluar të furnizonte Moskën me armë.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut u tha ligjvënësve gjatë një takimi me dyer të mbyllura sot se Koreja e Veriut ka bërë të paktën dhjetë transferta armësh në Rusi që nga gushti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re