Një valë e dytë e koronavirusit do të përfshijë botën më vonë gjatë vitit, me shumë gjasë nga vjeshta. Paralajmërimi vjen nga presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-In, i cili thotë se pavarësisht përpjekjeve për izolim, përgjatë këtyre muajve, SarsCov2 nuk do të ndalet, por mund të rikthehet edhe më i fortë.
“Përhapja me këto ritme e infeksionit, pavarësisht stabilizimit të situatës në këtë fazë, rrit dyshimet se mund të rikthehet në çdo moment, në çdo hapësirë të hapur, kudo ku njerëzit po i rikthehen jetës normale. Kjo gjë nuk ka mbaruar derisa të mbarojë vërtet. Derisa alarmi të marrë fund, ne nuk duhet të ulim nivelin e vigjilencës. Vetëm kështu mund ta frenojmë pandeminë”, tha Moon Jae-in.
Në përvjetorin e tretë të tij në krye të shtetit, presidenti tha se do të duhet kohë derisa kjo situatë të marrë fund: “Do të kalojë një kohë e gjatë përpara se pandemia Covid-19 të përfundojë totalisht. Deri atëherë, duhet të përgatitemi për një valë të dytë, që e parashikojnë edhe ekspertët e fushës”.
Kreu i shtetit paralajmëroi se në vendin e tij, masat nuk do të lehtësohen krejtësisht, ndërsa Task Forca e shëndetësisë po përgatitet tashmë për valën e dytë të vjeshtës apo dimrit të këtij viti, duke vijuar me trajnimet e të gjithë stafit spitalor për t’u përballur me këtë virus. Koreja e Jugut raportoi këtë të dielë 34 raste të reja, shifra më e lartë në një muaj dhe kjo për shkak të rihapjes së disa bizneseve, mes tyre edhe klubeve të natës, ku një pacient me COVID-19 ka infektuar dhjetëra të tjerë. 8 prej rasteve, ishin të importuara nga jashtë.