Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un vizitoi sërish fabrikat kryesore të prodhimit të municionit dhe urdhëroi rritje drastike të prodhimit të raketave dhe armëve të tjera, sipas raportimeve të mediave shtetërore, disa ditë para se Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të fillojnë stërvitjet vjetore të përbashkëta ushtarake, që Koreja e Veriut i konsideron si stërvitje për pushtim.

 

Urdhëri i zotit Kim për të shtuar prodhimin e armëve, gjithashtu, vjen në kohën kur zyrtarët amerikanë besojnë se Ministri i Mbrojtjes të Rusisë ka biseduar me Korenë e Veriut për t’i shitur më shumë armë Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

 

Agjencia qendrore koreano-veriore e lajmeve njofton se zoti Kim, të premten dhe të shtunën, vizitoi fabrikat që prodhojnë raketa taktike, platforma të lëvizshme për hedhjen e raketave, automjete të blinduara dhe predha artilerie.

 

Gjatë një ndalese në fabrikën e raketave, zoti Kim tha se qëllimi është që “në mënyrë drastike të rritet “kapaciteti prodhues, në mënyrë që fabrika të prodhojë sasi të mëdha raketash për të përmbushur nevojat e njësive ushtarake në vijën e frontit”, sipas agjencisë KCNA.

 

“Cilësia e përgatitjes sonë luftarake varet nga zhvillimi i industrisë së municionit dhe fabrika mban përgjegjësi shumë të rëndësishme në përshpejtimin e përgatitjeve për luftë të Ushtrisë Popullore të Koresë (së Veriut),” tha zoti Kim, sipas njoftimit të agjencisë.

 

Gjatë vizitës nëpër fabrikat tjera, zoti Kim bëri thirrje për ndërtimin e kamionëve më modernë për hedhjen e raketave. Ai theksoi se ka nevojë urgjente për të shtuar prodhimin e predhave të kalibrit të madh “me një normë të përshpejtuar” sipas njoftimit. Gjatë vizitës, zoti Kim ngau një automjet këmbësorie të blinduar, sipas agjencisë së lajmeve.

 

Zoti Kim është përqendruar të zgjerojë arsenalin e tij bërthamor dhe raketor, që kur bisedimet e nivelit të lartë diplomatik me ish Presidentin amerikan Donald Trump dështuan në vitin 2019. Që nga fillimi i vitit 2022, ushtria e zotit Kim ka testuar mbi 100 raketa, shumicën prej të cilave si paralajmërim ndaj SHBA-ve dhe Koresë së Jugut rreth planeve të tyre për të zgjeruar stërvitjeve e përbashkëta ushtarake.

 

Në këtë periudhë, kur SHBA-të dhe Koreja e Jugut fillojnë stërvitjet veriore, ka gjasa që Koreja e Veriut të kryejë testime më të shpeshta raketash. Koreja e Veriut e quan stërvitjen e përbashkët të të dy vendeve si manovra për pushtim, ndërkohë që aleatët thonë se nuk kanë për qëllim të sulmojnë Korenë e Veriut.

 

Agjencia e lajmeve KCNA citon zotin Kim të ketë thënë se Koreja e Veriut duhet të ketë “një forcë të pakrahasueshme ushtarake dhe duhet të përgatitet plotësisht të ballafaqohet me çfarëdo lloj lufte” e aftë për t’i “shkatërruar plotësisht” armiqtë e saj.

 

Shumë ekspertë pohojnë se zoti Kim synon të përdorë arsenalin e modernizuar të armatimit në këmbim të lëshimeve nga SHBA-të, si lehtësim sanksionesh, nëse bisedimet diplomatike me Uashingtonin rifillojnë.

 

Në fillim të gushtit, Shtëpia e Bardhë njoftoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane arritën në përfundim, se Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, bisedoi me zyrtarët e Koresë së Veriut, gjatë një vizite në Phenian në korrik, për të rritur sasinë e armëve që Moska ble nga Koreja e Veriut, për t’i përdorur në luftën e saj në Ukrainë.

 

Koreja e Veriut i mohoi pretendimet amerikane se ka transportuar predha këmbësorie dhe armatime në Rusi. Por, Koreja e Veriut publikisht e ka mbështetur Rusinë dhe ka sugjeruar se do të dërgojë punëtorë për të rindërtuar pjesët e Ukrainës, të pushtuara nga forcat ruse.

 

I përballur me presionin amerikan për shkak të programit bërthamor dhe mes vështirësive ekonomike si pasojë e pandemisë, zoti Kim po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë./voa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re