Për vetëm gjashtë ditë, numri i të prekurve me koronavirus në vend ka arritur 33, ndërsa një 73-vjeçare nga Durrësi ka humbur betejën me vdekjen. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se mes të prekurve është edhe një mjek.

Fillimisht infektimi nisi nga Tirana, ndërsa tani harta e të prekurve është zgjeruar edhe në qytet të tjera të vendit, megjithatë rekordin për të infektuar e mban kryeqyteti.

Deri më tani 19 të prekur janë në Tiranë, 5 raste në Durrës (përfshirë edhe gruan që ndërroi jetë), 1 rast në Lushnje, 2 në Elbasan, 4 në Fier dhe 2 në Rrogozhinë. Sakaq, Shqipëria është në izolim total.

Ndërkohë në vend, Policia vijon kontrollet për të gjithë personat që sapo janë kthyer nga Italia.

Ata që nuk janë në vetë-karantinim do të dërgohen forcërisht në banesa dhe mund të gjobiten.

Efektivët e Policisë kanë përpiluar një listë të plotë me të dhënat e tyre dhe pritet t’i kontrollojë edhe në banesa.

Të gjithë qytetarët që kanë ardhur nga Italia duhet të izolohen në banesë për 14 ditë, në mënyrë që edhe në rast të infektimit të tyre, të mos e transmetojnë virusin tek ata që i rrethojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re