Skip to content

Koronavirusi/ Basha anulon takimet publike: Duhet të bëjmë sakrifica

Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka anuluar aktivitetet e tij publike të parashikuara për pasditen e të hënës, pas mbërritjes së koronavorusit në Shqipëri.

 

Një aktivitet ishte parashikuar në Kalanë e Tiranës për kontributin e grave në shoqëri, ndërsa aktiviteti tjetër ishte një takim me mësuesit. Basha reagoi edhe në “Facebook”, ku kërkoi që gjithsecili të bëjë kujdes.

 

“Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit, dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri. Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjenën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi. Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura.”

 

Dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri janë një 28-vjeçar dhe babai i tij. I riu ishte kthyer nga Firence dhe ka infektuar edhe të atin.