Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, ka ngritur shqetësimin se pacientët, qofshin këta edhe simptomatikë, po kryejnë analiza që nuk kanë asnjë lidhje me COVID-19.

Ai ka publikuar faturën e një qytetari që ka shpenzuar 25 mijë lekë për teste, duke kryer madje edhe testin për Vitaminën D, që është krejtësisht i panevojshëm.

“Kjo faturë ka qarkulluar sot në rrjetet sociale. Pacienti (ose ndoshta qytetari, sepse mund të jetë fare mirë një person asimptomatik) ka paguar gati 25,000 lekë për një kompleks testesh laboratorike, që nisin me tamponin (të cilin duhet ta përfitonte falas në bazë të ligjit të sëmundjeve infektive) dhe përfundon me testin e Vitaminës D (të cilin një mashtrues e ka shtuar sa ‘për garniturë’)!

Skandali më i madh është se gati 6,000 lekë analiza (një e katërta e faturës) nuk ka asnjë lidhje me COVID-in dhe i është ofruar kot qytetarit”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale.

Ndërsa ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj këtyre kompanive që po mashtrojnë me çmimet, Dasho i ka bërë apel Komitetit Teknik të Ekspertëve që të të miratojnë një orë e më parë protokollet e mjekimit për të mos lejuar që njerëzit të bien pre e këtyre spekulanteve. “Komitetsa!

Nëse ju nuk miratoni protokolle, njerëzit vazhdojnë të bëhen pre e rrjepjes nga spekulantët. Nëse ju nuk aktivizoni mjekët e familjes dhe spitalet rajonale, njerëzit e mbetur në mëshirën e virusit përfundojnë herët e vonë në rrjetën e spekulantëve!

Spekulantë! Nuk u ngopët me marzhat e fitimit te testet për COVID që nisin nga 60-70% e përfundojnë në 1000% apo më shumë?

Pse duhet të detyroni një person të tmerruar të paguajë 3,500 lekë për testin e Vitaminës D?! Cili mjek e ka rekomanduar?!

Pse çmimet tuaja janë ndërtuar në mënyrë kaq mashtruese duke përfunduar me 98 dhe 99? Këto lojëra duhet të përfundojnë sa më parë!

Nëse qeveria, ministria dhe komiteti as ofrojnë shërbime dhe as mbrojnë pacientët nga spekulantët në kulmin e epidemisë, përse duhen ata?”, mbyll statusin e tij doktori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re