Ndërron jetë Kryetari i Dhomës së Avokatëve në Berat, Agron Mahmutaj, pasi prej javësh ishte i intubuar pas infektimit me Covid-19.

Avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët e Beratit kanë përcjellë ngushëllime për humbjen e mikut të tyre.

Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit që prej vitit 2017, avokati Agron Mahmutaj nuk ka mundur ta fitojë dot betejën me koronavirusin dhe ka ndërruar jetë ditën e djeshme.

Abc News raporton se 51-vjeçari Mahmutaj u prek nga virusi disa javë më parë. Ai u shtrua fillimisht në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku u mbajt disa ditë në oksigjenim. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore ai u dërgua në Tiranë, ku qëndroi për dy javë i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Ditët e fundit avokati 51-vjeçar pësoi një agravim të menjëhershëm dhe dje ai ndërroi jetë.

Mësohet se avokati Mahmutaj kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese. Ai vuante nga diabeti dhe vite më parë kishte hequr edhe njërën veshkë.

Ndarja e tij nga jeta ka tronditur jo vetëm familjarët por edhe kolegët e tij avokatë, prokurorë e gjyqtarë në Berat, që e përshkruajnë atë në dedikimet e tyre të shumta ngushëlluese jo vetëm si një njeri të drejtë dhe të ndershëm por edhe si një baba dhe mik shembullor.

Avokati Agron Mahmutaj ka qenë një nga eksponentët e parë dhe pjesë e strukturave drejtuese të PD-së Berat pas viteve ’90, për vite me radhë deri në vitin 2014 ai ka qenë Drejtor i Burgut të Beratit dhe pas largimit nga kjo detyrë ju përkushtua profesionit të avokatit duke u zgjedhur në vitin 2017 Kryetar i Dhomës së Avokatëve të Beratit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re