Një prej personazheve të zonës së “21-Dhjetorit” në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Ver Llapa” ka ndërruar jetë ditën e sotme për shkak të koronavirusit.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë, Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar për Integrimit e Jetimëve, ku ndër të tjera shkruan:

“Jetove në mes tonë duke e sfiduar mjerimin tënd të bardhë në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, duke u tallur aq bukur e mençurisht me ironinë e fatit, gjithë gazmend e stoik, plot indiferentizëm e shpërfillje të gjithë këtij realiteti absurd ku bashkëjeton në mënyrë të pistë dhe absurde superluksi i pakicës së pushtetshme me mjerimin masiv të shumë të ngjashmëve të tu, si për të treguar se asgjë në këtë jetë nuk është e pafundme…”

Emri i ‘Ver Llapes’ është përdorur shpesh herë edhe nga politikanët për të ironizuar kundërshtarin politik.

Madje ‘Ver Llapa’ ka marrë pjesë edhe në disa spote humoristike, ku ironizon kryeministrin.

POSTIMI I PLOTË I ILIR ÇUMANIT

“PËRSHPIRTJE PËR NJERIUN E MIRË….Jetove në mes tonë duke e sfiduar mjerimin tënd të bardhë në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, duke u tallur aq bukur e mençurisht me ironinë e fatit, gjithë gazmend e stoik, plot indiferentizëm e shpërfillje të gjithë këtij realiteti absurd ku bashkëjeton në mënyrë të pistë dhe absurde superluksi i pakicës së pushtetshme me mjerimin masiv të shumë të ngjashmëve të tu, si për të treguar se asgjë në këtë jetë nuk është e pafundme…

Ndaj, asgjë nuk duhet marrë seriozisht… Ishe engjëlli më i bukur dhe më i pafajshëm mbi këtë tokë, një dëshmi e gjallë ku luhet drama njerëzore, shkaktuar prej makutërve të panginjur e zemër katranë të pashpirtë, por të pangjashëm me pafajësinë dhe shpirtin tënd të bukur e të dëlirë naiv…

Ik VERI, prehu i qetë prej gjithë atij stërmundimi e përvuajtje të paepur që dëshmove në jetën tënde, një sakrificë prej cigani e bohemi që aq shumë ta adhuroja… Pusho në Paqe o NJERI ….. I mrekullueshëm i Zotit. R.I.P”, shkruan Çumani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re